Ndihma gjatë përmbytjeve në Maqedoni | Foto: KFOR

Ndihma për Maqedoninë-Kthehen Forcat e KFOR-it

Punën e të kthyerve në bazën e KFOR-it në Prizren e vlerësoi lart komandanti i kësaj force gjeneral-majori Guglielmo Luigi Miglietta.

“Gjenerali Miglietta shprehu vlerësimin e tij për profesionalizmin shumë të lartë dhe gatishmërinë e treguar nga i gjithë stafi duke vepruar në vend të ngjarjes dhe selinë e KFOR-it, për qëllime të koordinimit dhe planifikimit,” thuhet në komunikatën e KFOR-it.

Sipas komunikatës, KFOR-i ndërhyri pas vërshimeve nga shiu i rrëmbyeshëm në Maqedoni me ” mjete të shumta inxhinierike të bartjes së peshave të rënda, të tilla si: ngarkues, ekskavatorë dhe kamionë shkarkues nga kontingjentet zvicerane dhe austriake”.

Komunikata shpjegon edhe punën e kryer nga këto forca dhe makineria e tyre.

“Gjatë më shumë se një jave të aktivitetit të pandalur në terren, specialistët e KFOR-it kanë hequr rreth 1000 m³ të mbeturinave dhe kanë pastruar rrugën e caktuar duke u përfshirë drejtpërdrejt në rivendosjen e lëvizjes dhe lidhjes ndërmjet fshatrave në afërsi të Shkupit, të dëmtuara pas shirave me rrebesh dhe përmbytjeve më 6 gusht 2016,” vijon komunikata.

Komunikata bën me dije se ndihma e KFOR-it u vlerësua lart nga popullata dhe autoritetet lokale të Maqedonisë.

Shkupi, por edhe Malësia e Tetovës  u përfshi në më 6 gusht nga një mot i lig që shkaktoi më shumë se 20 të vdekur.

http://kallxo.com/shkupi-pas-tragjedise/