MZhE me projekte atraktive në fushën e teknologjisë
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, përmes një postimi në rrjetet social ka shpalosur projektet në fushën e Teknologjisë, Informimit dhe Komunikimit (TIK), të cilat janë në zhvillim dhe ato të cilat do të fillojnë gjatë vitit 2019.
“Javën që po lejmë pas u mbajt Kuvendi i XI i STIKK – Kosovo ICT Association ku, para kompanive kryesore të sektorit të Teknologjisë Informative në Kosovë, pata nderin dhe kënaqësinë ti drejtohem anëtarëve duke ripotencuar interesimin e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik në përmirësimin e ambientit të të bërit biznes në sektorin e teknologjisë informative, si sektor në rritje dhe shumë premtues”, ka shkruar Lluka.
Sipas Llukës disa nga projektet që ministria ka filluar dhe do të fillojë në vitin 2019 janë:
- Projekti KODE (Kosovo Digital Economy) që ka për qëllim përmirësimin e infrastrukturës duke shtrirë kabllo optik në tërë territorin e Kosovës, përfshirë gjitha fshatrat dhe shkollat dhe qendrat e mjekësisë familjare në këto fshatra. Një buxhet prej 21 milionë EUR që ka filluar në Janar të këtij viti.
- Projekti i ndërtimit të shkathtësive në këtë sektor përmes IPA fondeve të Komisionit Evropian. Një buxhet prej rreth 3 milionë EUR që do të filloj në Prill të këtij viti.
- TechPark Prishtina, projekt ky që do të filloj në Shtator të këtij viti më financim të Ministrisë që drejtoj.
- Qendra për Ekselencë Dixhitale në kampin e KFORit Gjerman në Prizren ku Ministria e Zhvillimit Ekonomik do të investoj rreth 600,000 EUR këtë vit. Qëllimi i kësaj qendre është të krijoj platformë për inovacion dhe trajnime me karakter rajonal.
- Qendrat Kreative në shkolla të mesme ku të rinjtë do të kenë mundësi ti zbulojnë aftësitë e tyre në fushën e programimit, artit, inxhinieringut dhe shkencave kompjuterike. Ministria ka financuar rreth 70 shkolla me qendra kreative që përmbajnë paisje të ndryshme. Këtë vit do të bëhet trajnimi i mësuesve për të shfrytëzuar këto pajisje.
- Marrëveshja për Roaming me Shqipëri e konfirmuar dhe nënshkruar që të filloj me 1 Qershor dhe marrëveshja për roaming me të gjithë vendet e Ballkanit që pritet të nënshkruhet me 5 Prill në Beograd në mes të gjithë ministrave të linjës.
- Smart Villages apo Fshatrat e Mençur, koncept që ka filluar këtë vit me shpresë që të testohet në Kosovë si vendi i parë në rajon. Artana dhe Mareci do të jenë përfituesit e parë të këtij projekti inovativ.
“Kemi një vit dinamik të këtij sektori, ashtu siç do ta kemi edhe për sektorin e energjisë dhe minierave”, u shpreh Lluka.