Ilustrim - Panele solare

Ambasadat, Zyra e BE-së, USAID dhe Sekretariati i Energjisë kundër tarifave nxitëse

Një hulumtim i gjatë i emisionit ‘Jeta në Kosovë’ zbardh skemën mbi të cilën kompani në pronësi të Blerim Devollit të regjistruara në shtetin e Maltës do të përfitojnë nga tarifat nxitëse për prodhimin e energjisë nga dielli.

Blerim Devolli ka arritur të përfitojnë tarifa nxitëse për prodhimin e 16.7 megavat energji solare duke u fshehur mbrapa bizneseve të ndryshme të regjistruara në Maltë, vend i njohur për fshehje të përfituesve të fundit të bizneseve.

“Jeta në Kosovë” ka gjetur se Blerim Devolli, përmes gjashtë bizneseve, do të përfitojë tarifa nxitëse për prodhimin e 16.7 megavatëve nga 30 megavat sa është totali i kapaciteteve të energjisë solare të përkrahura nga shteti.

Kundër vendimit të ZRrE-së që të rrisë sasinë e energjisë solare e cilat do të përfitojë tarifa nxitëse kanë dalë edhe atëherë Ministria e Zhvillimit Ekonomik, USAID, Ambasada gjermane, Zyra e BE-së në Kosovë e Sekretariati i Energjisë.

IshM-mnistri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Luka ka shprehur qëndrimet e kësaj ministrie në lidhje me trajtimin e 20 MW shtesë solare, gjatë kohës që ZRrE ishte në procesin e përcaktimit të tarifës nxitëse për projektet e energjisë së ripërtëritshme.

Qëndrimi kundër kësaj tarife është shprehur në një një shkresë dërguar Rregullatorit më 28 maj 2019.

Ministri Lluka ka thënë se tarifa e propozuar është shumë e lartë dhe jashtë trendeve të çmimeve të arritura në regjion si dhe kostos në rënie të këtyre teknologjive.

“Të shqetësuar thellësisht se kjo tarifë do të ketë impakt të ndjeshëm në tarifat e konsumit final, kërkojmë që të rishqyrtoni rrënjësisht supozimet që keni përdorur për të arritur te drafti i propozuar në mënyrë që të kemi një çmim shumë më të ulët, i cili reflekton qasjen balancuese në zhvillimin këtyre projekteve duke vendosur theks të veçantë në mirëqenien sociale të qytetarëve të vendit”, thuhet në shkresën e ministrit Lluka drejtuar ZRrE-së.

Sipas Ambasadës gjermane, kjo skemë aktuale me tarifa nxitëse bartë rrezik të korrupsionit.

“Në të kundërtën, një tarifë nxitëse e vendosur nga qeveria ose një agjenci qeveritare nuk arrin të identifikojë subvencionin më të ulët të mundshëm; një tarifë nxitëse mund të jetë shumë e lartë (që i kushton shumë Kosovës për më shumë se një dekadë) ose shumë e ulët (nuk do të aplikojnë zhvillues të besueshëm). Gjithashtu, praktika e kaluar e Kosovës për shpërndarjen e licencave për projekte solare 3 MW mbi bazën “kush vjen i pari, shërbehet i pari” mbart një rrezik korrupsioni dhe presioni të panevojshëm nga zhvilluesit jo të besueshëm mbi qeverinë dhe ZRRE-në”, thuhet në mes tjerash në komentet e kësaj Ambasade dërguar në ZRrE.

Kurse USAID kishte theksuar se nuk mbështet Tarifën nxitëse të propozuar për 20MW shtesë dhe nuk mbështet asnjë skemë të tarifës nxitëse për kapacitete të cilat janë jashtë cakut obligativ prej 25%.

Në qëndrimin e tyre, ata kanë paraqitur shqetësimin se Tarifa nxitëse e propozuar për kapacitet shtesë Solare fotovoltaike nga Rregullatori, nuk adreson në mënyrë të duhur paqartësinë dhe pasigurinë në politikat shtetërore të krijuara nga Udhëzimi Administrativ i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, as nuk adreson në mënyrë të sinqertë ndikimin e caqeve vullnetare në çmimet e konsumatorëve fundor të energjisë elektrik.

Në komentet e Zyrës së BE-së thuhej se ata mbështesin fuqimisht zhvillimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë në Kosovë, por jo që kjo të bëhet në këtë mënyrën që ka vepruar ZRrE.

“Vlerësojmë progresin e konsiderueshëm të bërë deri më tani në tërheqjen e investimeve në sektorin e BRE-ve, kjo duhet të bëhet përmes mekanizmave të subvencioneve që ka të ngjarë të jenë të qëndrueshëm në planin afatgjatë”, thuhet në komentet e Zyrës së BE-së.

 

Sipas Zyrës së BE-së, subvencionimi për zhvillimin e kapaciteteve shtesë të BRE-ve duhet të bazohet në procedura dhe mekanizmat konkurrues, të cilat do të lejojnë që të shmanget mbikompensimi i investitorëve.

“Për të përmbushur caqet vullnetare duhet të bazohet në procedurat/mekanizmat konkurrues, të cilat do të lejojnë që të shmanget mbikompensimi i investitorëve”, vazhdon reagimi i Zyrës së BE-së.

“Jeta në Kosovë” ka gjetur se Blerim Devolli, përmes gjashtë bizneseve, do të përfitojë tarifa nxitëse për prodhimin e 16.7 megavatëve nga 30 megavat sa është totali i kapaciteteve të energjisë solare të përkrahura nga shteti.

Dy kompani të Blerim Devollit, “Frigo Food Kosova” dhe “Birra Peja” kanë përfituar tarifa nxitëse prej 136.4 euro për megavat nga vendimi i bordit të ZRrE-së i datës 19 maj 2016.

Kurse, me katër biznese të tjera ka përfituar nga vendimi i datës 27 nëntor 2019: “Building Construction Kosove L.L.C”, “Alsi & Co Kosovë”, “Energy Development Group” dhe kompania e katërt është “Devolli Group” të cilës i është ndrru emri në “Abrazen”.