Shkumbin Asllani, Menaxher i Projektit - Njësia për Implementimin e Projektit "Kosova e Re", Foto: Facebook/Shkumbin Asllani

Antikorrupsioni deklarohet për këshilltarin e Llukës që është bërë menaxher i projektit “Kosova e Re”

Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) e ka mbyllur rastin e Shkumbin Asllanit, ish-këshilltarit politik të ministrit Valdrin Lluka, i cili është bërë menaxher i Projektit në Njësinë për Implementimin e Projektit (NjIP) TC “Kosova e Re”.

AKK ka ardhur në përfundim se nuk ka prova të mjaftueshme që e argumentojnë dyshimin për ekzistimin e konfliktit të interesit kur ai disa muaj pasi ka qenë këshilltar politik i ministrit është zgjedhur menaxher i këtij projekti.

Në këtë rast, Shkumbin Asllani është dyshuar për mundësinë e ekzistimit të konfliktit të interesit, meqenëse ai paraprakisht ka ushtruar funksionin publik si këshilltar politik i ministrit të Zhvillimit Ekonomik, deri më 30 nëntor 2018, për t’u emëruar pastaj më 1 mars 2019, në pozitën e ushtruesit të detyrës së menaxherit të Projektit në Njësinë për Implementimin e Projektit (NjIP) TC “Kosova e Re”.

Pas përfundimit të procedurave të konkursit të datës 26 mars 2019, Shkumbin Asllani, ishte përzgjedhur dhe emëruar në pozitën e menaxherit në Njësinë për Implementimin e Projektit TC “Kosova e Re”, funksion të cilin e ushtron edhe aktualisht.

Në vendimin e AKK-së thuhet se në bazë të vendimit ekzekutiv të Qeverisë së Kosovës, dhe termave të referencës, rezulton se Njësia për Implementimin e Projektit është themeluar me vendim të Qeverisë së Kosovës, mbikëqyret dhe i raporton Komitetit Drejtues të Projektit dhe Qeverisë së Kosovës.

“Prandaj, Agjencia Kundër Korrupsionit konstaton se në këtë rast nuk ka prova të mjaftueshme që dëshmojnë ekzistimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik si Menaxher i Projektit në Njësinë për Implementimin e Projektit TC ‘Kosova e Re’”, potencohet në vendimin e AKK-së.

AKK ka deklaruar se gjatë takimit me Shkumbin Asllanin, ai ka deklaruar se emërimi i tij në pozitën menaxher i NjIP është bërë sipas dispozitave të Ligjit të Punës, ndërsa më parë kjo pozitë është kontraktuar sipas dispozitave të Ligjit për Prokurimin Publik.

“Ndër të tjera në këtë shkresë theksohet se Njësia për Implementim të Projektit TC “Kosova e Re”, është themeluar me vendim qeveritar dhe është entitet i veçantë, i cili vepron si trupë këshillëdhënëse, ekskluzivisht për Komitetin Drejtues të Projektit (KDP) dhe sipas nevojës për Qeverinë e Republikës së Kosovës”, thuhet në vendim.

Agjencia Kundër Korrupsionit i është drejtuar Zyrës së Kryeministrit me qëllim të sqarimit të kësaj situate. Në vendimin e AKK-së potencohet se në shkresën e pranuar më 11 dhjetor 2019 nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, theksohet se Komiteti Drejtues i Projektit të Asistencës Teknike, Energjia nga Linjiti dhe Zyra e Projektit – Njësia për Implementimin e Projektit TC “Kosova e Re” është themeluar me vendimin ekzekutiv, të datës 17 mars 2006.

“Bazuar në vendimin ekzekutiv të Qeverisë së Kosovës, vendim ky i marrë në kohën e Administrimit të Përkohshëm nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), përcaktohet se Zyra e Projektit (NjIP) do t’i raportojë Komitetit Drejtues të Projektit dhe do të veproj në pajtim me Termat e Referencës. Sipas të njëjtit vendim, kryesuesi i KDP-së, do të informohet mbi veprimtarinë e Zyrës së Projektit dhe do të konsultohet me të sipas nevojës”, vazhdon vendimi i AKK-së.

Gjithashtu, Agjencia ka potencuar se mund të rihapë rastin në çdo kohë nëse paraqiten rrethana të reja.

Në vitin 2018, KALLXO.com kishte shkruar se si Liridon Mavriqi, ish-menaxheri i projektit të TC “Kosova e Re”, ishte punësuar në kompaninë “Contour Global”.

Ish-Menaxheri i ‘Kosovës së Re’ punësohet në ‘Contour Global’

Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZhE) nuk e kishte konsideruar konflikt interesi punësimin e Liridon Mavriqit, ish-menaxherit të projektit për termocentralin ‘Kosova e Re’ në kompaninë ‘Contour Global’.

Nga viti 2013 deri në vitin 2015, Mavriqi ka qenë njeriu kryesor i projektit për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’.

“I njëjti është angazhuar në cilësinë e ofruesit të shërbimeve profesionale. Si ofrues i shërbimeve, në bazë të kontratës së lidhur, i njëjti ka ofruar këshilla profesionale nga korriku 2013 deri në korrik 2015, kur është bërë ndërprerja në baza vullnetare e kontratës”, thuhet në përgjigjen e MZhE-së.

Drejtori ekzekutiv i organizatës joqeveritare, INDEP, Burim Ejupi, kishte thënë se punësimi i Liridon Mavriqit në kompaninë ‘Contour Global’ i cili për dy vjet ka qenë menaxher i projektit ‘Kosova e Re’, lë një pikë dyshimi pse kontrata për ndërtimin e TC ‘Kosova e Re’ është kaq e keqe dhe nuk është në favor të qytetarëve.

“Kjo kontratë për neve është shumë e dëmshme. Njeriu i cili e ka menaxhu këtë kontratë, dmth pse ata e kanë marrë në punë është se ia ka ndreçë punën kompanisë”, ka theksuar Ejupi.

Po ashtu Burim Ejupi vendosi paralele mes punësimit të Liridon Mavriqit në ‘Contour Global’ dhe punësimit të ish-ambasadorit amerikan në Kosovë, Christopher Dell në ‘Bektel Enka’ pas nënshkrimit të kontratës për autostradën që e ka lidhur Kosovën me Shqipërinë.