Zvarritja e projektit të efiçiencës nga MZHE-ja

Zyra Kombëtare e Auditorit ka gjetur që kontrata për implementimin e masave të efiçiencës së energjisë në objektet arsimore, në vlerë e 309,342 euro, e nënshkruar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, nuk është përfunduar brenda afatit të përcaktuar me kontratë.

MZhE e cila në atë kohë është udhëhequr nga ish-ministri Valdrin Lluka, në kontratën e nënshkruar më 21 gusht 2019, kishte specifikuar që ky projekt do të përfundojë 90 ditë pune pas nënshkrimit të kontratës.

Megjithatë, deri më 4 qershor 2020, rreth 10 muaj që nga nënshkrimi i kontratës, kur edhe Auditori ka dalë në teren ky projekt nuk kishte përfunduar.

Projekti ishte bashkëfinancim me Komunën e Gjakovës e cila kishte marrë pjesë me 29 mijë euro.

“Punimet kishin mbetur të papërfunduara për shkak të pozicionit me vlerë 40,150 euro, të cilin komuna kërkon ta ndërrojë nga “fasada fundermax” në “tullë” për shkak të pamjes arkitektonike të objektit/shkollës. Aktualisht ministria nuk po gjen zgjidhje në këtë çështje”, thuhet në raportin e Auditorit.

Kontrata ishte përcjellë edhe me probleme tjera ku në proces të punës është ndërruar kryesuesi i komisionit të mbikëqyrjes së projektit.

Sipas Auditorit, mosrealizimi i projekteve sipas planit dinamik ndikon në mos-realizimin e synimeve të planifikuara të ministrisë.

“Ministri duhet të ndërmarrë masat e duhura që në koordinim me Komunën e Gjakovës të zgjidhë problemin që e ka shkaktuar vonesën e realizimit të projektit dhe të sigurojë realizimin e plotë të punëve në afat sa më optimal”, thuhet në rekomandimin e Auditorit.