Tenderi "Furnizim me Internet për rrjetin Sizmologjik të Kosovës dhe lidhjet kabllovike për MZhE", Grfafika: Rrahman Ramaj
Pas tre viteve, Gjykata e Prishtinës "përmbys" vendimin e OShP-së për tenderin e internetit
Më shumë se tri vite pasi Gjykata e Tenderëve e kishte anuluar tenderin e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZhE) për furnizim me internet për rrjetin sizmologjik të Kosovës dhe lidhjet kabllovike për MZhE-në, Gjykata e Prishtinës e ka anuluar vendimin e saj dhe e ka kthyer në rishqyrtim dhe rivendosje.
Organi Shqyrtues i Prokurimit në qershor të vitit 2018 e kishte aprovuar ankesën e Telekomit të Kosovës, e cila nuk kishte ofertuar në këtë tender dhe e kishte anuluar tenderin ku kishte ofertuar vetëm një kompani, Ipko Telecommunications.
OShP e kishte anuluar tenderin me arsyetimin se MZhE nuk e kishte respektuar nenin 9.4 të Ligjit të Prokurimit Publik, ku thuhet se “nëse autoriteti kontraktues është autoritet publik, autoriteti i tillë publik duhet të marrë masa të arsyeshme për t’u siguruar se lëndët që i përmbushin këto nevoja nuk janë në dispozicion nga ndonjë autoritet tjetër publik”.
Por sipas Gjykatës së Prishtinës, Organi Shqyrtues i Prokurimit ka vepruar në kundërshtim me nenin 7 të Ligjit për prokurim publik, ku përcaktohet barazia në trajtim dhe diskriminimi, pasi Telekomi i Kosovës është ndërmarrje publike por edhe operator ekonomik dhe duhet t’i nënshtrohet konkurrencës së lirë.
Historiku i tenderit për internet
Më 2 prill të vitit 2018, Ministria e Ekonomisë shpalli tender për furnizim me internet për rrjetin sizmologjik të Kosovës dhe lidhjet kabllovike për Ministrinë e Ekonomisë. Ministria kishte përdorur procedurën e hapur të prokurimit me çmimin më të ulët si kriter për dhënie të kontratës.
19 prilli 2018, ishte edhe afati i fundit i caktuar nga ministria për pranimin e tenderëve nga operatorët ekonomik të interesuar të ofertojnë për këtë aktivitet të prokurimit.
Ky tender i prokurimit qe “jetëshkurtër”. Një ditë pas afatit për pranimin e tenderëve, u parashtrua ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OShP).
Telekomi i Kosovës pas kërkesës për rishqyrtim, e cila i është refuzuar si e pabazuar, u ankua në OShP.
“Autoriteti kontraktues kur është autoritet publik, autoriteti i tillë publik duhet të marrë masa të arsyeshme për t’u siguruar se lëndët që i përmbushin këto nevoja nuk janë në dispozicion nga ndonjë autoritet tjetër publik”, thuhet në ankesën e cila është bazuar në paragrafin 4 të nenit 9 të Ligjit të prokurimit publik.
Telekomi i Kosovës kërkoi që ky tender të anulohet pasi shërbimet ofrohen nga një institucion publik që përdor fonde publike. Sipas tyre, në të kundërtën do të dëmtohej buxheti i Kosovës me rreth 15 mijë euro për 36 muaj.
OShP vendos ta anulojë tenderin
Me vendimin e datës 16 maj 2018, është aprovuar si e bazuar ankesa e Telekomit të Kosovës dhe OShP-ja e ka anuluar njoftimin për kontratë të tenderit të iniciuar nga MZhE-ja.
“Paneli shqyrtues duke pasur parasysh faktin qe Telekomi i Kosovës është autoritet publik dhe ofron shërbime profesionale të natyrës së këtij aktiviteti te prokurimit, dhe duke pasur parasysh faktin qe Ministria e Zhvillimit Ekonomik, si autoritet kontraktues nuk e ka respektuar nenin 9.4 të LPP-së, atëherë ky aktivitet i prokurimit duhet të anulohet në tërësi dhe të merret për baze neni 9.4 i LPP-së.”, thuhet në vendim.
Në seancën e mbajtur më 16 maj 2018, përfaqësuesi i Telekomit të Kosovës kishte thënë se MZhE nuk ka respektuar dispozitat e nenit 9.4 të LPP-së. Sipas tyre, është një interpretim i KRPP-së i nenit 9.4 të LPP-së, ku nënkuptohet që autoritetet kontraktuese mund të hyjnë kontrata direkt pa ju nënshtruar procedurave të LPP-së, andaj propozon që të anulohet ky aktivitet i prokurimit.
Në anën tjetër përfaqësuesi i MZhE-së, e ka kundërshtuar raportin e ekspertit shqyrtues dhe ankesën.
Në fjalën përfundimtare ka thënë se ndërmarrja publike nuk është autoritet publik dhe kjo është cekur në LPP. Po ashtu ai ka thënë se janë të obliguar që vetëm vendimet e OShP-se t’i zbatojnë.
Edhe eksperti shqyrtues i kishte propozuar Panelit Shqyrtues që ankesa e Telekomit të Kosovës të pranohet si e bazuar dhe ka kërkuar që njoftimi për kontratë të anulohet.
Evidentohen shkelje, gjykata “përmbys” vendimin e OShP-së
Gjykata e Prishtinës në gusht të vitit 2021 e ka anuluar vendimin e Gjykatës së Tenderëve dhe e ktheu çështjen në rishqyrtim dhe rivendosje.
“APROVOHET si e bazuar kërkesëpadia e paditësit I. T. LLC -Prishtinë kundër të paditurit Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik (OSHP) në Prishtinë”, thuhet në aktgjykim.
Gjykata konstatoi se OShP ka vepruar në kundërshtim me nenin 9.4 dhe nenin 7 të Ligjit të Prokurimit Publik, duke marrë parasysh që Telekomi i Kosovës është ndërmarrje publike dhe po ashtu operator ekonomik dhe duhet t’i nënshtrohet konkurrencës së lirë.
“Paneli shqyrtues duke pasur parasysh faktin që Telekomi i Kosovës është autoritet publik dhe ofron shërbime profesionale të natyrës së këtij aktivitetit të prokurimit dhe duke pasur parasysh faktin që Ministria e Zhvillimit Ekonomik si autoritet kontraktues nuk e ka respektuar nenin 9.4 të LPP-së atëherë ky aktivitet i prokurimit duhet të anulohet në tërësi”, thuhet në vendimin e gjykatës.
Vendimi i gjykatës erdhi rreth tri vjet pasi kompania “I.T. LL.C” (Ipko Telecommunications), e cila e vetmja kompani ofertuese në tenderin e shpallur nga MZhE, paraqiti padi ndaj OShP-së në Gjykatën e Prishtinës, saktësisht në Departamentin për çështje administrative.
Përmes kërkesë-padisë, u kërkua anulimi i vendimit të OShP-së dhe çështja të kthehej në rishqyrtim. Me pretendimin se vendimi i OShP-së është i kundërligjshëm.
“..në bazë të provave të administruara është vërtetuar fakti se i padituri ka vepruar në kundërshtim me dispozitat ligjore të cituara në padi dhe në parashtresën e datës 04.06.2021 prandaj paditësi i propozon gjykatës që kërkesëpadinë ta aprovoj si të bazuar, vendimin e të paditurës ta anuloje si të kundërligjshëm dhe çështjen te ia kthej në rishqyrtim të paditurës”, thuhet në kërkesë-padinë e kompanisë ndaj OShP-së.
Në anën tjetër, OShP ndaj së cilës është dorëzuar padi, ka thënë se qëndrojnë pas vendimit të tyre.
“..ky vendim është nxjerrë në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi dhe me interpretimin e këtyre dispozitave nga KRPP, i propozojmë gjykatës që pas administrimit të provave të nxjerr aktgjykim me të cilin kërkesë padinë dhe padinë e paditësit ta refuzoje si të pa bazuar në dispozita ligjore dhe vendimin e OSHP-së të atakuar në këtë padi e lë në fuqi.”, thuhet në aktgjykim.
Më tej thuhet se Gjykata shqyrtoi edhe pretendimet e OShP-së, mirëpo i vlerësoi si të pabazuara pasi vendimi i nxjerrë konsiderohet me të meta pasi në procedurën administrative nuk janë respektuar rregullat.
Sipas gjykatës, të metat qëndrojnë në shkeljet thelbësore të dispozitave të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative (LPPA) të nenit 48 që përcakton se arsyetimi i siguron palës mundësinë që ta kuptojë aktin administrativ.