Mustafa: Jo shkëmbim të territoreve, por bashkim të Luginës me Kosovën

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqiptarëve (PDSh) dhe ish kryetari i komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, ka thënë se bashkimi i Luginës së Preshevës me Kosovën është “zgjidhja më e mirë” për normalizimin e përhershëm të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës.

Ai tha për agjencinë serbe të lajmeve ‘Beta’ se kjo me siguri do të jetë një nga propozimet që do të jetë në rend të ditës në fund të gushtit ose në fillim të shtatorit në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës në Bruksel.

“Është normale që ne jemi duke kërkuar bashkim me Kosovën, por askush nuk flet për shkëmbim të territoreve por për demarkacion të ri kufitar gjatë të cilit Kosova dhe Serbia, me marrëveshjen e re, e cila do të jetë e përhershme, në mënyrën më të mirë do t’i zgjidhin problemet e tyre dhe do të shkojnë drejt integrimit europian. Kur dy vende fqinje flasin për demarkacionin e kufijve është normale që të dy vendet të kujdesen për pakicat e tyre”, ka thënë Mustafa për “Beta”.

Duke folur për deklaratën të cilën liderët shqiptarë nga Presheva, Bujanovci dhe Medvegja kanë dhënë “aprovimin zyrtar për presidentin, kryeministrin dhe ekipin negociator të Kosovës që të drejtat e tyre të jenë të përfaqësuara gjatë negociatave me Beogradin në Bruksel”, Mustafa ka thënë se përfaqësuesit politikë shqiptarë nga këto komuna kanë diskutuar një muaj e gjysmë më parë edhe me liderë politikë në Shqipëri.

“Shqiptarët nga këto tri komuna nuk presin më që të drejtat e tyre të përmirësohen në kuadër të Serbisë, për shkak se asnjë nga marrëveshjet e arritura më parë nuk po zbatohet. Kur parlamenti i Republikës në vitin 2013 ka miratuar Deklaratën me shtatë pika të kërkesave të shqiptarëve, ish-presidenti dhe kryeministri i Serbisë kanë vlerësuar se këto janë kërkesa krejtësisht reale e të cilat do të trajtohen nga çdo ministri e linjës, por asnjë ministri nuk ka filluar asgjë”, ka thënë Mustafa sipas agjencisë serbe të lajmeve.

Duke deklaruar se shqiptarët nga jugu i Serbisë “kanë pritur tash e 20 vjet që të zgjidhen të drejtat e tyre themelore, gjë e cila nuk ka ndodhur”, Mustafa ka thënë se kërkesa e Luginës së Preshevës për t’u bashkuar me Kosovën “ka legjitimitetin e një referendumi në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë të mbajtur më 1 dhe 2 mars të vitit 1992, dhe në të cilën shqiptarët votuan në favor të bashkimit me Kosovën”.