Isa Mustafa, Kryeministër i Kosovës. I Foto: KALLXO.com

Mustafa Ftesë Opozitës: Ejani ta Matim Territorin e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka dhënë sot arsyet pse qeveria e vendit nuk po e dërgon në Kuvend për ratifikim marrëveshjen me Malin e Zi për shënjimin e kufirit.

Duke qenë temë dominuese në politikën e Kosovës për gati 11 muaj që nga nënshkrimi i marrëveshjes, Mustafa tha se kjo çështje është shtyrë “që të mos manipulohet me ndjenjat e qytetarëve”.

Prandaj ai kërkoi edhe një herë nga partitë opozitare të cilat e kundërshtojnë demarkacionin që të tregojë “sa është territori i Kosovës”.

“Në qoftë se opozita kërkon, ne mund të bëjmë matje në territorin e Kosovës mbi bazën e vendimit të komisionit shtetëror lidhur me shënjimin e  vijës kufitare me Malin e Zi që të kuptojnë qytetarët se a është humbur apo jo territori”, tha Mustafa.

“Ne mund ta procedojmë në kuvend por dëshirojmë që të kemi harmoni me qytetarët e Kosovës e poashtu edhe me Malin e Zi që kurdo që dëshirojmë të diskutojmë me ta, ta kemi derën hapur. Ne mirëpresim organizimin e një tryeze të përbashkët për të diskutuar për këtë çështje. Le ta dëshmon edhe opozita se sa është sipërfaqja e Republikës së Kosovës”, tha Mustafa në mbledhjen esotme të qeverisë.