Mustafa: Beteja e Koshares Besëlidhje për Çlirim

Mustafa mori pjesë në Manifestimin “Ditët e Shqipes” që i kushtohet kësaj beteje, ndërsa bëri homazhe para varrezave të dëshmorëve që ranë gjatë thyerjes së kufirit mes Kosovës e Shqipërisë.

Para të pranishmëve në manifestim, Mustafa 9 prillin e vitit 1999 e cilësoi besëlidhje të shqiptarëve në frontin për çlirimin e Kosovës.

“9 prilli i vitit 1999 është data e fillimit të partneritetit strategjik të shqiptarëve me aleatët e tyre natyrorë të angazhuar nën ombrellën e NATO-s, aleancës më të fuqishme ushtarake e politike të historisë së njerëzimit. Kjo betejë ishte njëra ndër fitoret me të rëndësishme të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,” tha Kryeministri.

Mustafa deklaroi se kjo betejë ishte njëra ndër fitoret me të rëndësishme të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

“Në Koshare, padrejtësia historike mbi njëshekullore po ndalej dhe ndëshkohej në mënyrën më meritore. Atë ditë, më mirë se kurrë më parë, pushtuesit e kuptuan pafuqinë e tyre dhe gjithashtu kuptuan fuqinë e gatishmërisë së djemve e bijave tona për t’u sakrifikuar për liri e pavarësi”, tha Mustafa.

ZKM-1

Ai shtoi se ndjenja e krenarisë me veprën e luftëtarëve të Brigadës 138 “Agim Ramadani”, duhet dhe do të nderohet duke punuar në frymën e unitetit kombëtar e qytetar, për ta zhvilluar Kosovën dhe për ta bërë atë pjesë të familjes euroatlantike.

Betejën e Koshares e kujtoi edhe Presidenti Hashim Thaçi.

“Vendosmëria, trimëria dhe heroizmi i luftëtarëve në këtë betejë janë kapitull i lavdishëm i luftës sonë për liri dhe pavarësi. Lufta e drejtë dhe e ndritshme e UÇK-së është motiv për shoqërinë dhe institucionet tona shtetërore drejt integrimeve euroatlantike,” tha Presidenti Thaçi.