Kryeministri i Kosovës bën homazhe në Kompleksin Memorial të Reçakut - Foto: KALLXO.com

Mustafa Bën Homazhe në Reçak

Kryeministri i Kosovës, i shoqëruar nga ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, ka bërë homazhe në Reçak, ku 18 vjet më parë forcat policore e paramilitare serbe vranë 45 banorë të këtij fshati, në atë që shefi i misionit të OSBE-së, William Walker, e cilësoi masakër.

“Masakra e Reçakut është ndër masakrat më të mëdha që janë kryer në Kosovë nga ushtria dhe paramilitarët serbë në vitin 1999. Është një rast që ne të zgjojmë vetëdijen e qytetarëve tanë, por edhe komunitetin ndërkombtar për veprat mizore që Serbia i ka bërë në Kosovë, për gjenocidin, masakrat dhe krimet kundër njerëzimit që kanë ndodhur këtu, që megjithatë duhet përgjigjen për gjithë atë që kanë bërë në Kosovë dhe në asnjë rast nuk duhet t’i japin të drejtë vetes që të zgjojnë ndjenjat e atëhershme qoftë në Kosovë, qoftë në Ballkan”, tha Mustafa në Kompleksin Memorial, ku vendosi një kurorë lulesh.

18 vjet më parë, në këtë fshat të Shtimes, forcat policore e paramilitare serbe kryen një masakër të tmerrshme, duke vrarë 45 civilë.

Dje, ndërkaq, në Reçak është përuruar shtatorja e ambasadorit William Walker, i cili më 15 janar 1999 i tregoi botës mbarë masakrën e llahtarshme të kryer nga forcat serbe në këtë fshat.

http://kallxo.com/william-walker-shpetimtari-ne-bronx/

Në ceremoninë e përurimit të shtatores së ambasadorit Walker ishte edhe presidenti Hashim Thaçi dhe figura të tjera publike.

Në një fjalim në Kompleksin Memorial, Thaçi tha se kjo shtatore paraqet të vërtetën para botës.

Për Thaçin shtatorja është simbol i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

“Edhe pse kaluan 18 vjet ne kujtojmë atë heroizëm të pashoq të popullatës shqiptare, kujtojmë atë përpjekje madhore të popullit të Kosovës,” tha Thaçi.

http://kallxo.com/recaku-ben-vend-walkerit-brenda-vetes/

Redaktoi: Naser Sertolli