Masakra e Reçakut: 16 persona të dyshuar, 1 me aktakuzë, dhe 1 i dënuar i arratisur

Masakra e Reçakut, më 15 janar 1999 është ndër masakrat më të rënda në Kosovë.

Masakra e dokumentar në atë kohë ndryshoi përgjithmonë historinë e re të Kosovës.

Për këtë masakër, Prokuroria Speciale për KALLXO.com ka konfirmuar se janë duke zhvilluar hetime ndaj 16 personave në mungesë, për shkak se të gjithë për momentin janë të paarritshëm për organet hetimore.

Ndërsa, një person është dënuar në lidhje me këtë masakër. Ai ishte dënuar në vitin 2001. Zoran Stanojeviqit i ishte shqiptuar dënim me 15 vite burgim. Por pas shpalljes së aktgjykimit, Zoran Stanojeviq ishte arratisur nga territori i Republikës së Kosovës dhe vazhdon ende të jetë në arrati.

Prokuroria Speciale në maj të vitit te kaluar, nga Departamenti Special i Gjykatës së Prishtinës kishte kërkuar gjykimin në mungesë të një personi, të cilit i ishte ngritur aktakuzë, pasi ishin shtjerrë të gjitha përpjekjet për ta gjetur të akuzuarin.

Prokuroria Speciale më 4 maj kishte njoftuar se kishte ngritur aktakuzë në mungesë kundër të pandehurit Çedomir Aksiq për krime lufte kundër popullatës civile.

Ai akuzohet se bashkë me persona tjerë, grup kriminal të paidentifikuar, kishin qenë të organizuar dhe të veshur uniforma policore paramilitare dhe ushtarake.

“Prokuroria Speciale njofton se i akuzuar Ç.A. në periudhën kohore janar – maj 1999, duke bashkëvepruar me një grup njerëzish kriminal (tani për tani të pa identifikuar), të organizuar, të veshur me uniforma policore, paramilitare, ushtarake, ka kryer veprën penale ‘’Krimi i luftës kundër popullsisë civile’’” – thuhej në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Për shkak të ndjeshmërisë dhe kompleksitetit të rastit, Prokuroria ka thënë se nuk mund të ndajë informata më shumë për publikun.

Tutje, ajo ka siguruar se në kuadër të autorizimeve ligjore dhe kapaciteteve njerëzore dhe profesionale është duke bërë maksimumin që sa më shpejtë të kompletohen hetimet, thuhet në njoftim.

Kryeministri Albin Kurti tha në 25-vjetorin e Masakrës së Reçakut se William Walker që dëshmoi masakrën është ndërkombëtari më i urryer në Serbi.

“Masakra e Reçakut bëri të domosdoshme ndërhyrjen ndërkombëtare që ta ndalë këtë gjenocid. E vërteta ka shumë rëndësi. Atëkohë William Walker erdhi në fshat dhe pa çfarë ka ndodhur. Sot e kësaj dite mbetet ndërkombëtari më i urryer në Serbi. Me 15 janar në dimër të ftohtë ka ndodhur ky krim makabër e më pas edhe lufta për kufoma për katër javë” – deklaroi sot Kurti.

Prokuroria Speciale përmes një konference për media në dhjetor të vitit të kaluar kishte dhënë informata në lidhje me hetimet për krimet e luftës në Kosovë.

Prokurorja Drita Hajdari kishte thënë se janë 33 aktakuza kundër 89 personave, në lidhje me krimet e luftës.

Hajdari ka thënë se kjo Prokurori ka marrë kompetencat për hetimin e krimeve të luftës në fillim të vitit 2016, kurse ka pranuar rastet fizikisht me 2018.

“Në mesin e këtyre rasteve ka qenë edhe ai për masakrën e Mejës dhe shumë raste të tjera. Ju njoftoj se deri më tani janë ngritur gjithsej 33 aktakuza me 89 persona të akuzuar. Kryerësit e këtyre veprave penale nuk kanë qenë në Kosovë, kanë qenë në Serbi. Kjo ka paraqitur vështirësi në ngritjen e aktakuzave, mirëpo kjo rrethanë nuk na ka ndalë” – kishte thënë prokurorja Hajdari.

Masakra e Reçakut ka qenë shkas për të filluar bombardimet e NATO-s mbi caqet serbe në Kosovë dhe Serbi.