Arkiv - William Walker në vendin ku ka ndodhur masakra në Reçak - Foto: REL/Reuters

Në dheun që pa kufoma, lë “amanet” të varroset

Nga toka me kufoma lufte që kishte ardhur të punonte gjatë luftës, ish-shefit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), William Walker, Kosova i është shndërruar në një tokë që e shpreh si lloj amaneti që të varrosen eshtrat e tij pas vdekjes.

Walker i cili cilësohet si një ndër miqtë dhe përkrahësit më të mëdhenj që ka pasur Kosova e luftës dhe pasluftës, 25 vite pas shpreh dëshirën që një ditë kur ai të vdes të varroset në Kosovë.

“Do të isha i stërlumtur që kam thënë që kur të vdes dua të varrosem këtu. Isha bashkë me disa shqiptarë të Kosovës dhe e pata përmendur këtë. E shoh që do mundem të varrosem në Kosovë. Dhe ata më pyetën “a je serioz”. Unë i thashë që po do doja, të bëhej si një varr… një statujë plastike… po bëj shaka për këtë të fundit. Unë kam respekt të madh për Kosovën”- tha Walker në një intervistë për emisionin Politiko në Kanal10.

Në vitin 1999 kur Kosova ishte nën flakët e luftës ambasadori William Walker erdhi në Kosovë për të verifikuar nëse forcat serbe po vepronin në përputhje me marrëveshjen e tetorit të Kombeve të Bashkuara për të tërhequr forcat e armatosura dhe për të respektuar armëpushimin. 

Walker gëzon një respekt të veçantë në Kosovë pasiqë ishte njeriu i parë i cili e kishte cilësuar masakrën e Reçakut si krim kundër njerëzimit.

“Atëkohë William Walker erdhi në fshat dhe pa çfarë ka ndodhur. Sot e kësaj dite mbetet ndërkombëtari më i urryer në Serbi. Më 15 janar në dimër të ftohtë ka ndodhur ky krim makabër e më pas edhe lufta për kufoma për katër javë”- tha kryeministri Albin Kurti në përvjetorin e 25-të të Masakrës së Reçakut.

Në përvjetorin e 25-të të Masakrës së Reçakut, Walker tha që kjo është vizita e tij e 21 -ta, 22-ta apo 23- ta në Reçak.

“Me disa njihemi që 25 vite, disa fatkeqësisht kanë ndërruar jetë. Kjo është hera e parë që më është dashur të vij me një shkop. Por unë prapë dua të vij në Reçak sa herë që mundem”- ka thënë ai.

Tash një vit, një ditë para përvjetorit të Masakrës së Reçakut, William Walkerit i është ndarë titulli “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë, në praninë e kryeministrit Albin Kurti.

Qeveria kishte miratuar një propozim-vendim për ndarjen prej 70 mijë euro për librin “Reçaku”, i shkruar nga ish ambasadori William Walker.

Më 15 janar të vitit 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe në Kosovë vranë dhe i masakruan 45 civilë shqiptarë në fshatin Reçak në Komunën e Shtimes.

Ngjarja e Reçakut u pasua nga bombardimet e NATO-s mbi caqet serbe në Kosovë si dhe në Serbi.