75 vite burg për të akuzuarit e vrasjes së Abedin Bytyqit në fshatin Peqan të Suharekës
Për herë të tretë ka marrë epilog rasti i vrasjes mizore të Abedin Bytyqit, i cili u vra në fshatin Peqan të komunës së Suharekës më 06.10.2016.
Gjykata e Prizrenit i ka gjetur fajtorë dhe dënuar me 75 vite burgim të akuzuarit Murat Ademi, Resmije Bytyqi e Fadil Fetiu.
Abedin Bytyqi nga Suhareka, ishte zhdukur në tetor të vitit 2016, e pas disa kohe trupi i tij ishte gjetur në një mal i djegur e i groposur.
Dy herë Gjykata ka marrë dënim duke i shqiptuar 57 vite burgim të akuzuarve, por instanca e dytë e kishte kthyer çështjen në rigjykim.
Murat Ademi dhe Fadil Fetiu janë dënuar për vrasje të rëndë në bashkëkryerje me nga 25 vite burgim, Resmije Bytyqi është dënuar për shtytje në vrasje të rëndë me 25 vite burgim, kurse i akuzuari Reshat Ademi është liruar nga akuza.
Vendimi është marrë nga trupi gjykues i përbërë nga Artan Sejrani-kryetar dhe anëtarët Baki Shigjeqi dhe Kymete Kicaj.
Dosja e Prokurorisë
Motivi i krimit, sipas Prokurorisë, ishte bashkëshortja e të ndjerit, Resmije Bytyqi.
Sipas aktakuzës, vëllezërit Ademi janë takuar gjatë vitit 2016 me të akuzuarën Resmije Bytyqi, të cilën e kanë vajzë të axhës, dhe ajo u është ankuar atyre se bashkëshorti i saj, Abedin Bytyqi, po e keqtrajtonte duke e rrahur.
Sipas Prokurorisë, më pas ajo u kishte kërkuar atyre që ta vrisnin burrin e saj, duke u thënë se nëse ata nuk munden ta bëjnë vrasjen, ajo do ta angazhonte dikë tjetër për ta kryer një gjë të tillë.
Në dispozitivin e aktakuzës thuhet se i akuzuari Murat Ademi, i shtyrë nga e akuzuara Resmije Bytyqi, ka shkuar në shtëpinë e të akuzuarit Fadil Fetiu, ku i ndjeri po punonte në instalimet elektrike dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit e ka rrëmbyer tani të ndjerin.
Në aktakuzë thuhet se Murat Ademi e ka lidhur viktimën dhe e ka dërguar në një vend të panjohur ku e priste i akuzuari tjetër Reshat Ademi dhe më pas të dytë e kanë goditur me mjete të forta duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.
Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit pasi e kanë rrahur viktimën, të njëjtin e kanë mbytur duke ia vënë flakën dhe më pas e kanë groposur.
Për këto pretendime në tetor të vitit 2019 dhe në tetor të vitit 2021, Gjykata e Prizrenit dy herë i kishte dënuar me gjithsej 57 vite burgim tre të akuzuarit.
Por me vendimin e Apelit rasti ishte kthyer në pikën zero.
Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni duke klikuar në LINK .