Mungon Prokurorja në Gjykimin për Përleshjen në Reshtan
Prokurorja Ervehe Gashi nuk ishte e pranishme në seancë për shkaqe familjare, ndërsa zëvendësuesi i saj Sefer Morina propozoi që seanca të shtyhet për një datë tjetër, një gjë që u pranua nga gjykata, por u kundërshtua nga avokatët e tre të akuzuarve.
Fadil Shala dhe Enver e Artan Kryeziu akuzohen për vrasjen e Burim Kryeziut në 2 gusht të vitit 2012 në Reshtan të Suharekës, pas një përleshjeje mes djemve të dy vëllezërve dhe nipave e dajallarëve të tyre.
Ramë Dreshaj, avokati i Artan Kryeziut u ankua për shtyrjen.
“Meqenëse të tre të akuzuarit gjenden në paraburgim, po ashtu edhe i mbrojturi im Artan Krtyeziu gjendet në paraburgim, për neve si mbrojtje është e mirëseardhur që çdo seancë të mos dështojë,” tha Dreshaj.
Ai e arsyetoi mungesën e prokurores.
“Ajo gjendet për shkaqe objektive. E njëjta gjë mund të më ndodhë edhe mua apo dikujt tjetër, por e mira ka qenë më vazhduar seanca,” tha Dreshaj.
Sot ishte paraparë të dëshmonte Rrahim Hoxha, i cili nuk u është përgjigjur thirrjeve të gjykatës në seancat e mëhershme, ndërsa për këtë seancë kishte njoftuar trupin gjykues se përsëri do të mungonte me arsyetimin se ndodhej në botën e jashtme.
Më 2 gusht 2012 djemtë e dy vëllezërve që janë edhe fqinjë dhe nipat e dajallarët e tyre, gjithsej 15 persona u përleshën ndërmjet vete me mjete të forta, ndërsa si pasojë e kësaj rrahjeje, Burim Kryeziu vdiq pas një jave në spital, ndërsa shumë nga të rrahurit mes vete pësuan lëndime serioze.
I akuzuari Fadil Shala është shpallur fajtor për këtë vepër penale dhe është dënuar me 15 vjet burg, ndërsa të akuzuarit Enver e Artan Kryeziu ishin dënuar me nga 13 vjet burg, por gjykata e Apelit e ktheu në rigjykim këtë rast, pasi që gjeti shkelje procedurale, ndërsa ndaj 12 të akuzuarve tjerë ishte vërtetuar dënim nga kjo gjykatë.
http://kallxo.com/mbi-40-vjet-burgim-per-vrasjen-mes-familjareve-te-reshtanit/
Seanca e ardhshme u caktua me 27 janar ku do të lexohet deklarata e dëshmitarit Rrahim Hoxha dhe do të deklarohen të pandehurit për fajësinë ose pafajësinë.