Gjykata e Gjilanit

Detaje nga gjykimi i të akuzuarve për vrasje në tentative dhe lëndim trupor

Leotrim Leci, Alldyz Leci, Burim Kryeziu dhe Astrit Kryeziu, janë ulur në bankën e të akuzuarve për t`u përballur me aktakuzën e Prokurorisë për vrasje në tentativë dhe lëndim të lehtë trupor.

Leotrim dhe Alldyz Leci po akuzohen për shkak të veprës penale vrasje në tentativë, kurse Burim e Astrit Kryeziu, për shkak të lëndimit të lehtë truporë.

Sipas Prokurorisë të akuzuarit Leotrim Leci dhe Alldyz Leci, në muajin gusht të vitit 2019, në Kamenicë kanë tentuar ta privojnë nga jeta Burim Kryeziun.

Sipas aktakuzës ata fillimisht janë kacafytur mes vete kurse i akuzuari Alldyz, e godet me thikë në stomak, duke i shkaktuar lëndime Burim Kryeziut, për të cilat fillimisht kishte kërkuar ndihmë në Spitalin Regjional të Gjilanit, kurse më vonë në Spitalin Amerikan në Prishtinë.

Tutje sipas aktit akuzues, Burim dhe Astrit Kryeziu të njëjtën ditë i kanë lënduar lehtë Leotrim Lecin dhe Deonit Zuzakun, duke i goditur me grushte në pjesë të ndryshme të trupit, si në sy, hundë e plagë të tjera të cilat janë kualifikuar si lëndime të lehta trupore.

Seanca e sotme u ndërpre dhe njëjta do të caktohet pas 15 ditësh, duke u lënë të akuzuarve tjerë që nuk e pranuan fajësinë afat për kundërshtimin e aktakuzës.

Në seancën e sotme që ishte fillestare, ata u deklaruan të pafajshëm në atë që i akuzon Prokuroria e Gjilanit, përveç Burim Kryeziu, i cili e pranoi fajësinë pas leximit të aktakuzës.

Tutje Gjykata, me propozimin e palëve në procedurë, e veçoj procedurën ndaj Burim Kryeziut, pasi që e pranoi fajësinë për veprën penale me të cilën akuzohej.

Lidhur me pranimin e fajësisë nga i akuzuari Burim Kryeziu, prokurori Shaban Spahiu, kërkoj nga Gjykata që t`i ketë parasysh rrethanat lehtësuese dhe ato rënduese.

“I propozoj Gjykatës që ndaj të akuzuarit që e pranoj fajësinë, të shqiptoj një dënim sa ma të butë pasi që e ka pranuar fajësinë dhe nuk ka ndonjë vepër tjetër me të cilën ngarkohet”, tha prokurori Spahiu.

Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Granit Syla dhe vet i akuzuari Burim Kryeziu, gjithashtu kërkuan nga Gjykata një dënim sa ma të butë.

Kryetari i trupi gjykues Agim Ademi, pas dëgjimit të gjitha propozimeve, pranimit të fajësisë nga i akuzuari Burim Kryeziu, e shpalli dënimin ndaj tij duke e dënuar me dënim me gjobë në shumen prej 400 euro.