Ilustrim

Sulmoi policin para 5 viteve, dënohet nga Gjykata

Gjykata e Pejës e ka shpallur fajtor Fadil Shalën i cili akuzohet për sulm ndaj një pjesëtari të Policisë së Kosovës.

Aktakuza ngarkon Fadil Shalën se në vitin 2014 ka sulmuar policin Alen Avdiq, i cili ishte duke kryer detyrën zyrtare.

Ndaj tij është shqiptuar dënim me burgim prej 3 muajsh i cili me pëlqimin e tij mund të zëvendësohet me gjobë në shumë prej 900 euro.

Paraprakisht i akuzuari e pranoi fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë.

Me pranim të fajësisë u pajtuan prokurorja e rastit Suada Hamza dhe mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Binak Cena. Gjyqtarja Violeta Husaj Rugova përmes aktvendimit e pranoi pranimin e fajësisë të bërë nga i akuzuari.

Sipas dosjes se prokurorisë Shala, pasi ishte ndaluar nga njësiti patrullues nuk i ishte bindur urdhrit për dorëzim të dokumentit të identifikimit, dhe filloi t’i fotografoj policët në detyrë. Më pas ai e kishte sulmuar policin Avdiq.

Aktakuza sqaron se i akuzuari kishte tentuar të ikë por ishte arrestuar nga Policia pasi këta të fundit kishin përdorur sprejin ndaj tij.