Vendi ku ndodhi rasti "Reshtani" - Foto: KALLXO.com

Rasti ‘Reshtani’ për Herë të Dytë Shqyrtohet në Apel

Gjykata e Apelit ka shqyrtuar ankesën e palës së dëmtuar dhe ankesat e avokatëve mbrojtës të Fadil Shalës dhe Enver e Artan Kryeziut, të dënuar nga Gjykata e Prizrenit për vrasjen e Burim Kryeziut.

Gjykata e Apelit për herë të dytë e ka shqyrtuar këtë rast pasi që në prillin e vitit 2015 këtë lëndë e kishte kthyer në rigjykim.

Në prill të këtij viti Gjykata Themelore në Prizren pas rigjykimit prapë i kishte shpallur fajtorë dy vëllezërit Kryeziu dhe Fadil Shalën, duke i dënuar me gjithsej 38 vjet burg. Gjykata i gjeti fajtorë për vrasjen e një të afërmi të tyre në Suharekë.

Fadil Shala u dënua më 14 vjet burg ndërsa vëllezërit Enver e Artan Kryeziu me nga 12 secili për vrasjen e Burim Kryeziut në fshatin Reshtan.

http://kallxo.com/38-vjet-burg-per-vrasjen-e-reshtanit/

Avokati i palës së dëmtuar dhe avokatët e të akuzuarve kishin paraqitur ankesat e tyre ndaj aktgjykimit të Gjykatës së Prizrenit.

Avokati i palës së dëmtuar Hajrip Krasniqi kishte paraqitur ankesë ndaj aktgjykimit për shkak të lartësisë së dënimit. Sipas tij, dënimi ka qenë i ulët për të akuzuarit.

Krasniqi ka mbetur pranë ankesës edhe gjatë shqyrtimit të saj në Gjykatën e Apelit.

Edhe avokatët e të akuzuarve kishin paraqitur ankesat e tyre duke e kundërshtuar aktgjykimin e Gjykatës së Prizrenit.

Edhe në seancën para Gjykatës së Apelit avokatët Hetem Rugova, Ramë Dreshaj dhe Kosovare Kelmendi i mbështetën ankesat e tyre. Po ashtu, edhe të akuzuarit i mbështetën ankesat e avokatëve të tyre.

Kryetarja e kolegjit gjykues të Gjykatës së Apelit, Fllanëza Kadiu, tha se së shpejti ky kolegj do ta marrë vendimin për këtë rast dhe do t’ua dërgojë palëve.

Rasti ka të bëjë me një vrasje të ndodhur më 2 gusht 2012 pas një përleshjeje ku ishin përfshirë familja e Nuhi Kryeziut, në njërën anë, dhe familjet e vëllait të tij Jonuz Kryeziut dhe e dhëndrit (njëkohësisht edhe mik) Izet Shala nga Peqani. Burimi, i cili kishte vdekur nga plagët e marra në këtë rrahje, ishte i biri i Nuhiut.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për rastin “Reshtani” dhe raportet rreth këtij procesi mund t’i gjeni duke klikuar këtu.

Rasti i vrasjes dhe i rrahjes ishte trajtuar në detaje gjatë emisionit “Drejtësia në Kosovë“.