Pamje nga gjykimi i Naser Kelmendit - Foto: KALLXO.com

Mungon Dëshmitari në Rastin e Naser Kelmendit

E paraparë për sot, seanca gjyqësore ndaj te akuzuarit Naser Kelmendi nuk do të zhvillohet pasi që dëshmitari Muhamed Usanoviq nuk u paraqit në Gjykatën e Sarajevës prej ku, përmes video-linkut, do të jepte dëshminë e tij.

Muhamed Usanoviq ka dhënë dëshmi në lidhje me rastin e Naser Kelmendit edhe të premten, por dëshmia e tij ishte ndërprerë për shkak se dëshmitari nuk ndihej mirë me shëndet.

Naser Kelmendi akuzohet për vrasje të rëndë, për krim të organizuar, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike dhe prodhim e përpunim të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike.

Ai krahas shtetësisë kosovare e ka edhe atë boshnjake, ndërsa u arrestua nga Policia e Kosovës në majin e 2013-ës, pasi u kërkua me fletarrestim ndërkombëtar nga Bosnja.

Pasi Bosnja e Kosova nuk kanë marrëdhënie diplomatike dhe as marrëveshje ekstradimi, Kelmendi është duke u gjykuar në Kosovë, por ai ka akuzë edhe në Bosnjë.

Në Bosnjë Kelmendi po akuzohet për krim të organizuar, vrasje të mbetur në tentativë dhe për shitje e shpërndarje të substancave narkotike në Amerikën Latine, Turqi, Serbi, Kroaci dhe shtetet tjera të Evropës Perëndimore.

Kur iu lexua aktakuza më 16 janar, Kelmendi u deklarua i pafajshëm, ndërsa e cilësoi aktakuzën një prodhim nga Bosnja.

http://kallxo.com/do-te-fotografohet-vendtakimi-i-kelmendit/