Gjykata Themelore e Mitrovicës - Foto: KALLXO.com

Mungojnë të Paditurit, Dështon Seanca për Vërtetim Pronësie

Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës ka dështuar të mbahet seanca në kontestin për vërtetim pronësie.

Mungesa e të paditurve Bahri, Raif dhe Bedri Prekazi nuk krijoi kushte ligjore për mbajtjen e seancës.

Gjyqtari Naim Meholli deklaroi se të paditurit ishin ftuar në mënyrë të rregullt.

Sipas padisë, Kadri Haziri ka paditur Eshref Prekazin duke kërkuar që përmes padisë t’i njihet e drejta e pronësisë mbi paluajtshmërinë e cila gjendet në Mitrovicë.

Por pasi që i padituri Prekazi më nuk jeton, paditësi po kërkon që padia të vazhdohet ndaj tre trashëgimtarëve të tij Bahri, Raif dhe Bedri Prekazi.

Paditësi Kadri Haziri pretendon se këtë pronë e ka blerë në vitin 1989 nga Nexhemdin Smakolli.

Bazuar në padi, që nga koha e posedimit kanë kaluar më shumë se 20 vjet dhe nuk ka pasur pengesë nga askush kurse tani ka kuptuar se kjo pronë verifikohet në emër të Eshref Prekazit.

Gjykata Themelore në Mitrovicë në qershor të vitit 2017 kishte marrë vendim për ndërprerjen e procedurës ndaj të paditurit për shkak të konstatimit mbi vdekjen e tij, ndërsa në korrik të po të njëjtit vit paditësi pranë Gjykatës kishte paraqitur propozimin për vazhdimin e procedurës së ndërprerë ndaj trashëgimtarëve ligjorë të tani të ndjerit.

Kjo procedurë tani shqyrtohet ndaj të paditurve Bahri, Raif dhe Bedri Prekazi dhe ka marrë numër të ri të lëndës.

Ndërsa lidhur me të paditurit gjyqtari Naim Meholli deklaroi se do t’i ftojë edhe një herë në seancën e radhës, e cila u caktua për më 6 prill.