Enver Hoxhaj

MPJ Paguan 14 Mijë Euro Qira për Banesën e Pashfrytëzuar

Ambasada e Kosovës në Bernë të Zvicrës ka paguar qira banese për 10 muaj rresht me vlerë prej 14 mijë e 166 eurove pa qëndruar askush aty, pasi që zyrtarët e misioneve diplomatike kishin refuzuar të akomodoheshin në këtë banesë.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar raportin për Ministrinë e Punëve të Jashtme ku ka gjetur se Ambasada e Kosovës në Zvicër ka paguar qiranë nga nëntori 2015 deri në shtator 2016 pa u shfrytëzuar nga askush.

“Ambasada në Bernë kishte paguar shpenzimet e qirasë deri në muajin shtator 2016 në vlerë prej 14,166€3 për banesën e cila kishte qenë në shfrytëzim të konsullit i cili kishte shërbyer deri më 30 nëntor 2015”, thuhet në raportin e auditorit.

Sipas zyrtarëve të MPJ-së, pagesa e qirasë ishte bërë për ruajtjen e saj për të emëruarit e rinj.

“Megjithatë, askush nga diplomatët e rinj nuk kishte pranuar të akomodohej në këtë banesë”, thuhet në raportin e auditorit.

E këtë të gjetur, auditori e ka cilësuar si keqpërdorim të parasë publike.

“Pagesa e shpenzimeve të qirasë pa u shfrytëzuar nga Misionet Diplomatike të Kosovës (MDK) është keqpërdorim i parasë publike si dhe ndikon në rritjen e shpenzimeve pa e përfituar kundërvlerën e tyre”, thuhet tutje në raport.

Auditori i ka rekomanduar MPJ-së që të sigurojë kontrolle efikase mbi menaxhimin e parasë publike.

Sipas auditorit në raste të tillë, të ndërprerjes së shërbimeve, duhet të ndërpriten edhe kontratat.