Auditori: 133 zyrtarë policorë vazhdojnë të jenë në pozita ku kërkohet gradë më e lartë se ajo që e kanë

Zyra Kombëtare e Auditimit ka bërë të ditur se një numër i stafit policor vazhdon të jetë i sistemuar në pozita të punës pa e plotësuar kriterin e gradës që e kërkon ajo pozitë sipas strukturës organizative.

ZKA thotë se sipas të dhënave nga njësia e personelit, 133 zyrtarë policorë vazhdojnë të mbeten të sistemuar në pozita ku kërkohet gradë më e lartë se grada që e kanë aktualisht.

“Sipas të dhënave nga njësia e personelit, 133 zyrtarë policorë vazhdojnë të mbeten të sistemuar në pozita ku kërkohet gradë më e lartë se sa grada që aktualisht e kishin arritur të punësuarit përmes procesit të rregullt të gradimit. Në raport me vitin paraprak numri i zyrtarëve është zvogëluar nga 193 në 133”- thuhet në raport.

Në gjetjet e Auditorit theksohet se Policia e Kosovës është në fazën e përgatitjeve për shpalljen e konkursit për procesin e gradimit, i cili konkurs është ndikuar nga struktura organizative e policisë e cila ka qenë në plotësim-ndryshim.

Zyra e Auditorit vlerëson se sistemimi i stafit në pozita që nuk janë në përputhje me gradën adekuate mund të ndikojë që pozitat e punës të ushtrohen nga persona me mungesë të kompetencës profesionale.

“Ministri dhe Drejtori i Përgjithshëm i PK-së duhet të sigurojnë që sistemimi i stafit policor në pozita të bëhet pas plotësimit të gradave dhe kushteve për vendin e caktuar të punës dhe që procesi i gradimit është duke u zhvilluar për të ju përgjigjur nevojave të PK-së”- thuhet në rekomandimin e ZKA-së.

ZKA ka publikuar raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të MPB-së për vitin 2022.