Motra dhe Dy Vëllezër Kundërshtojnë Kunatën

I padituri Ilaz Berisha që është vëllai i burrit të Shukrije Berishës tregoi historinë e shtëpisë kontestuese.

“Fillimisht në këtë paluajtshmi ku ne e kemi blerë ka qenë një shtëpi e vjetër, mirëpo diku në vitin 1975 e kemi rrënuar atë shtëpi dhe e kemi ndërtuar shtëpinë e cila gjendet sot,” tha Berisha.

Duke qenë se jeton në Gjermani, Ilaz Berisha tha se nuk e dinte nëse kunata e tij që tash e ka paditur për shtëpinë është kujdesur për vjehrrën e saj dhe nënën e tij.

“Nëna ime ka qenë e fortë dhe nuk ka pasë nevojë për përkujdesje deri tri javë para vdekjes,” tha Berisha.

Ai e përmendi një kredi për këtë shtëpi të vëllait të tij Zeqir Berishës, burrit të paditëses, por tha se ajo ishte e vogël.

“Jam në ndjeni që tani i ndjeri Zeqë ka marrë një kredi, por ka qenë e vogël, me ato para nuk ka mundur të ndërtohet as një oxhak,” u shpreh Berisha.

Rrëfimin e njëjtë për shtëpinë në Prishtinë të kësaj familjeje e përsëriti edhe Alije Berisha-Ashiku e motra e Ilaz Berishës dhe kunata e paditëses.

Berisha-Ashiku si vëllai i saj tha se nëna e tyre nuk ka pasur nevojë për përkujdesje, por me të ka qëndruar deri në çastet e fundit të jetës Shukrije Berisha.

“Nëna nuk ka pasë nevojë për përkujdesje nga askush dhe tri javë para se të vdesë kam dëgjuar se është kujdesur për të Shukrije Berisha që tani është paditëse dhe se  ajo ka qëndruar me nënën edhe në çastet e fundit të jetës, sepse unë në atë kohë kam qenë në Gjermani,” tha Berisha-Ashiku.

Por ajo deklaroi se atë nuk do ta pengonte nëse Shukrije Berisha e merr pjesën e shtëpisë që i takon sipas ligjit.

Në seancë dëshmoi edhe i padituri tjetër Adem Berisha që tha se vëllai i tij Ilaz Berisha e ndërtoi shtëpinë kontestuese, ndërsa për vete tha se siguroi dokumentacionin e saj.

Albana Kelmendi, avokatja e Shukrije Berishës, e pyeti këtë dëshmitar se pse në një vendim të vitit 2014 nuk është shpallur trashëgimtar i kësaj prone edhe Zeqir Berisha, por vetëm tre të paditurit e këtij procesi.

”Sa i përket gruas së Zeqës, Shukrijes, konsideroj se nuk ka dhënë asnjë kontribut,” tha Adem Berisha.

Dëshmitari Berisha tha se Alije Berisha-Ashiku është shpallur trashëgimtare ngase ishte pa përkujdesje.

Shukrije Berisha më 15 dhjetor 2005 në ish-Gjykatën Komunale të Prishtinës kishte paditur vetëm Adem Berishën, ngase ai kishte hapur procedurën për shqyrtimin e trashëgimisë duke i marrë vetëm deklaratat vëllait të tij Ilaz Berishës dhe motrës së tij Alijes, sipas autorizimit të dhënë nga ata.

Paditësja kishte pretenduar se në ndërtimin e shtëpisë kontestuese kishin kontribuar vetëm ajo së bashku me bashkëshortin e saj tashmë të ndjerë dhe kunati tjetër në Gjermani Ilaz Berisha.

Paditësja kërkon që t’i vërtetohet e drejta e pronësisë në gjysmën e shtëpisë.

Po ashtu Shukrije Berisha kërkon nga gjykata që t’i detyrojë të paditurit që t’ia mundësojnë shfrytëzimin e lirë të pronës.

KALLXO.com raportoi edhe më herët për ketë rast.

http://kallxo.com/mungon-e-paditura-ne-betejen-per-shtepine/