Ragip Begaj, Debat Pernime, Malishevë. Foto: Atdhe Mulla

Mjeku Ushtron Kallëzim Penal ndaj Ragip Begajt

Arben Kryeziu nga Malisheva ka ushtruar kallëzim penal ndaj Ragip Begaj që po garon edhe për një mandat të ë parit të Malishevës.

Begaj kishte anuluar konkursin në të cilin Kryeziu ishte pranuar mjek i praktikës së përgjithshme në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë.

Kryeziu ishte ankuar në KALLXO.com tri ditë pas anulimit të konkursit.

Kryeziu akuzon Begajn se ka bërë shkelje ligjore kur e ka anuluar këtë konkurs.

I kontaktuar nga KALLXO.com, Ragip Begaj bëri të ditur se nuk është njoftuar për ndonjë kallëzim penal të ngritur ndaj tij, por tha se i kujtohet se ka anuluar një konkurs të QKMF-së.

“Për kallëzim penal nuk e di, por e di që e kam anuluar atë konkurs, sepse kam kuptuar që ka shumë parregullsi. Aty kundërkandidatëve u është mohu e drejta e ankesës, po ashtu ka pasë edhe konflikt interesi në këtë konkus”, tha Begaj.

Për parregullsi në konkursin të cilin e anuloi Begaj, një qytetar kishte raportuar në KALLXO.com.

http://kallxo.com/ragip-begaj-anulon-konkursin-pas-raportimit-te-qytetarit-ne-kallxo-com/

Por Arben Kryeziu në kallëzim penal konstaton se konkursi është anuluar, pasi ai ishte pranuar, kishte nënshkruar kontratën dhe kishte nisur punën.

“Më datë 23.01.2017 si kryetar i Komunës ka nxjerrë Urdhëresë  Administrative me nr. 01/51, me të cilën i ka anuluar të gjitha procedurat e konkursit nr. 556 të datës 22.12.2016, e cila drejtpërsëdrejti ka ndikuar që  autorizuesit tim Arben Kryeziut t’i ndërprehet marrëdhënia e punës”, thuhet në kallëzim penal.

Sipas kallëzimit penal, një ditë para se të anulohej konkursi, Arben Kryeziu kishte nisur punën në Qendën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë.

“Arben Kryeziu kontratën e punës e ka nënshkruar më datën 12.01.2017 dhe menjëherë ka themeluar edhe marrëdhënien e punës, pasi që në të njetën ditë ka filluar edhe shërbimin në QKMF,  sipas kushteve të parapara me kontratë”, thuhet më tutje në kallëzim.

Kallëzimi pastaj pretendon se Begaj me urdhëresën administrative ka kryer vepër penale.

“Me anë të kësaj urdhërese Ragip Begaj ka bërë shkelje të dispozitave ligjore në lidhje me marrëdhënien e punës, shkelje këto të cilat përbëjnë edhe vepër penale”, thuhet në kallëzimin drejtuar Prokuroris Themelore në Gjakovë.

Por Begaj për KALLXO.com thotë se është i gatshëm të ballafaqohet me drejtësinë jo vetëm për këtë konkurs, por për të gjitha veprimet e tij.

“Unë jam i gatshëm me u përballë edhe me drejtësinë për këtë punë dhe jo veç për këtë, por për të gjitha veprimet e mia”, përfundoi Begaj.

Ragip Begaj është kandidat edhe për një mandat i Nismës për Kosovën në garën për kryetar të Malishevës.

Sipas të dhënave të KQZ-së kur janë numëruar të gjitha votat në Malishevë, Begaj ka fituar 41,03 për qind të tyre, ose 8 mijë e 885 vota.