Mjekët Sërish Në Protestë, Ministria Nuk Anulon Vendimin

Mjekët që kanë konkurruar për të marrë specializimet nga Ministria e Shëndetësisë edhe sot kanë dalë për të protestuar te Ministria e Shëndetësisë për të disatën herë.

Ata kërkojnë që të anulohet vendimi për specializim dhe të shpallet një konkurs i ri pasi që, sipas tyre, shumica e mjekëve të pranuar për specializim kanë përgatitje shumë më të ulët se mjekët protestues.

Si herave të tjera, edhe sot Ministria e Shëndetësisë u vërshua nga Policia të cilët kërkuan shpjegime për prezencën e mjekëve në Ministri.

Edhe pse kërkesa ishte që të kenë një takim me Ministrin Imet Rrahmani, pas disa orëve në pritje mjekët u ftuan në takim por jo nga Ministri, por nga anëtarët e kabinetit të tij.

“Anëtarët e kabinetit të Ministrit deklarohen se konkursi nuk ka kurfarrë mundësie ligjore të anulohet. Kërkesë e tyre që na afrojnë zgjidhje, eventualisht rritje të numrit të kandidatëve të pranuar”, tha doktor Edmond Prokshaj .

Prokshaj tha se pasi që nuk po merret paraysh anulimi i konkursit si kërkesë kryesore e tyre, ata do të vazhdojnë t’i shprehin shqetësimet në forma të ndryshme.

Këta mjekë ankesat i kanë dërguar edhe të Komisioni Parlamentar për Shëndetësi në Kuvendin e Kosovës dhe pritet që në një mbledhje të diskutohet problemi i tyre ku doktor Prokshaj pritet të jetë prezent.

“Edhe pse ndoshta nuk kam të drejtën të flas, ma merr mendja që do të jem si person vëzhgues që t’i dëgjoj arsyetimet e Ministrit apo të përfaqësuesve të Ministrisë por edhe argumentet tona që i kemi paraqit dhe të shohim cili është rezultati”, tha Prokshaj.

Ministi Rrahmani është deklaruar i gatshëm për të raportuar para Komisionit për Shëndetësi për çështjen e specializimeve.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për problemin e mjekëve të rinj.

http://kallxo.com/dyert-e-mbyllura-per-mjeket-e-refuzuar-ne-specializim/

http://kallxo.com/mjeket-ankohen-se-u-testuan-si-ne-sfilate-mode/

http://kallxo.com/ministria-e-shendetesise-mbushet-police/