Ilustrim: Poqi elektrik

Mitrovica në terr

Pothuajse e tërë Mitrovica jugore që nga dje pasdite është pa furnizim me energji elektrike.

Kjo situatë është krijuar nga incidenti që kishte ndodhur në parkun industrial “Trepça”, ku kishte shpërthyer një trafo elektrike.

Në këtë incident kishte marrë plagë një zjarrfikës dhe kishin mbetur të ngujuar për orë të tëra rreth 150 minatorë në horizontet të ndryshme të minierës “Trepça“.

Pa rrymë vazhdon të jetë Mitrovica jugore edhe sot.

https://kallxo.com/drejtori-i-trepces-miniatoret-tani-do-te-dalin-nga-ngujimi/

Në pjesë të ndryshme të qytetit banorët janë pa energji elektrike që prej orës 8:00 të mëngjesit.

Kurse KEDS, përmes një komunikate për media ka njoftuar se ka krijuar një zgjidhje të shpejtë për furnizim me energji elektrike të Mitrovicës dhe “Trepçës”, pas djegies së djeshme.

Sipas KEDS-it, zgjidhja ka të bëjë me riaftësimin e linjës së Vallaqit që gjendet në veri të vendit, për pjesën e furnizimit të qytetit dhe fshatrave përreth.

Kjo është arritur edhe falë ndihmës dhe mbështetjes së institucioneve te vendit, Policisë e Kosovës për sigurinë e ofruar dhe KOSTT-in.

“Ekipet e punëtorëve të KEDS kanë arritur të shtrijnë sot gjatë ditës përçuesin në linjën 35 kV që vjen nga nënstacioni i Vallaqit për drejtim në nënstacionin e Mitrovica 2, ku po bëhet kyçja për të furnizuar një pjesë të madhe të Mitrovicës dhe fshatrave përreth. Pos përçuesit janë vendosur edhe shtylla dhe pajisje të tjera të rrjetit, pasi linja ishte joaktive që nga paslufta. Kjo është arritur falë angazhimit të madh të punëtorëve të kompanisë, të cilët janë në terren së bashku me menaxhmentin përkatës që nga dita e djeshme kur ndodhi avaria në asetet e Trepçës“, thuhet në komunikatën e KEDS-it.

Paralel me këtë, KEDS së bashku me KOSST në afat rekord kanë gjetur alternativë shtesë të furnizimit për konsumatorët e apostrofuar më lartë, pasi linja që vjen nga veriu nuk ka kapacitete të mjaftueshme.

Sipas njoftimit, KEDS ka angazhuar numër te madh të punëtorëve si dhe kontraktorëve për të punuar në shtrirjen e përçuesit 35 kV nga nënstacioni i KOSTT-it në Vushtrri në drejtim të “Trepçës”, sikurse edhe nga “Trepça” në drejtim të Vushtrrisë, në mënyrë që të përfundojnë punimet sa më shpejtë të jetë e mundur.

“Punimet në të dy anët janë në përfundim e sipër dhe nëse gjithçka shkon sipas planit pritet që furnizimi me energji elektrike për qytetarë të kthehet në mbrëmje”, thuhet në njoftimin e KEDS-it.