Minxhozi: Deportimin e Abazit e Mësova nga Mediat

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Minxhozi, në një intervistë për KALLXO.com tha se nga mediat është informuar për arrestimin dhe deportimin e Boiken Abazit, aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, i cili është shtetas i Shqipërisë.

“Unë e kam marrë vesh nga mediat dhe kam pasur një komunikim rreth orës 3:00 me Albin Kurtin, i cili më informoi më në hollësi për këtë. Nuk kam pasur asnjë njoftim tjetër. Njoftimin më pas e kam pasur nga autoritetet e kufirit të Shqipërisë kur ka kaluar i deportuari në territorin shqiptar dhe kaq”, tha ambasadori Minxhozi.

Diplomati shqiptar theksoi se i është thënë se Abazi është larguar nga Kosova sepse i ka thyer rregullat e qëndrimit këtu.

“Çdo qytetar duhet të sillet në bazë të rregullave dhe ligjit që ka shteti dhe do të trajtohen në bazë të ligjeve që ka një shtet, duke futur këtu edhe të drejtat e njeriut, moscenimi i tyre, kapërcimi i të drejtës së ushtrimit. Unë akoma nuk jam i qartë se si ka qenë gjithë procedura. Nuk e di nëse ka qenë i drejtë arresti, nga personat e duhur, me dokumentet e duhura. Janë autoritetet që do i rishikojnë”, tha ambasadori Minxhozi.

Qemajl Minxhozi tha se duhet të pyeten autoritetet e Kosovës nëse është dashur të lajmërohet ambasadori nëse një qytetar i vendit të tij po deportohet.

“Duhet të shikohet interpretimi i gjithë praktikës, të cilin pala jonë po e shikon me shumë kujdes. U janë përcjellë të gjitha indiciet që i kemi autoriteteve në Shqipëri”, deklaroi ai.

Ambasadori theksoi po ashtu se ky rast është diçka që nuk ka ndodhur më parë. Sipas tij, çdo njeri që kryen një vepër penale, parashihet me të drejtën ndërkombëtare, do të përgjigjet sipas legjislacionit në fuqi në atë vend.

Po ashtu, ambasadori Minxhozi tregoi se nga Shqipëria në Kosovë nuk ka asnjë rast të deportimit dhe theksoi se kosovarët që shkelin ligjin në Shqipëri trajtohen njëjtë si qytetarët e Shqipërisë.

“Nëse ka thyerje ligji ato të dënohen. Nuk do të thotë se ti je shqiptar i Shqipërisë apo i Kosovës dhe ke të drejtë të abuzosh me ligjin. Por, nga ana tjetër edhe ligji duhet të zbatohet në mënyrë shumë koherente dhe të përpiktë, që të mos lëndohen njerëz pa të drejtë”, tha në intervistën për KALLXO.com ambasadori shqiptar Qemajl Minxhozi.