Glauk Konjufca dhe Petrit Malaj - Foto: Kuvendi i Kosovës

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, priti në takim ambasadorin e ri të Shqipërisë, Petrit Malaj

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim ambasadorin e ri të Shqipërisë, Petrit Malaj.

Sipas njoftimit, në takim u bisedua për zhvillimet aktuale në vend, marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy shteteve, por edhe mundësitë e thellimit e të konkretizimit të mëtejmë të tyre, në të gjitha fushat.

“Pasi e falënderoi ambasadorin për mbështetjen institucionale të deritanishme, kryetari Konjufca tha se Kosovën dhe Shqipërinë e bashkon gjithçka, andaj mbi këtë premisë ai shtoi se ekzistojnë mundësi të shumta të pashfrytëzuara për të avancuar më tutje bashkëpunimin e shumëanshëm”- thuhet në njoftim.

Ndërsa, ambasadori Malaj konfirmoi përkushtimin për të forcuar bashkëpunimin midis Tiranës dhe Prishtinës.

Tutje thuhet se gjatë takimit u shkëmbyen informacione dhe ide për zhvillimet e përgjithshme në Shqipëri e Kosovë, ndërsa u vlerësua se zgjerimi i bashkëpunimit paraqet interes reciprok për të dyja vendet.

Ambasadori Malaj pason në krye të misionit diplomatik të Shqipërisë në Kosovë ambasadorin e deritashëm, Qemal Minxhozi.