Tentuan t’i godasin me traktorë policët, arrestohen dy të dyshuar në Ferizaj

Policia e Kosovës ka njoftuar se Njësia e Reagimit të Shpejt gjatë patrullimit në fshatin Dremjak të Ferizajt ka vërejtur tre traktorë të ngarkuar me drunjë dhe në përpjekje për t’i ndaluar të dyshuarit, këta të fundit kanë rrezikuar pjesëtarët e Policisë.

Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur më 07.05.2024, rreth orës 20:45.

Pjesëtarët e Policisë janë rrezikuar nga të dyshuarit të cilët kanë tentuar t’i godasin me traktorë dhe kanë vazhduar rrugën duke u futur ndaras në rrugica malore, me ç’rast dy prej tyre janë bllokuar, ndërsa njëri ka aritur të ikë në drejtim të panjohur .

Me këtë rast, Policia ka arrestuar dy prej të dyshuarve, ndërsa pjesëtarët e Policisë që janë lënduar kanë pranuar trajtim mjekësor.

“Policia ka arritur që të arrestojë dy prej tyre, ndërsa gjatë arrestimit i kanë rezistuar policisë dhe dy pjestarët e policisë kanë pësuar lëndime trupore, të cilët kanë pranuar tretman mjekësor në Qendrën Emeregjente në Ferizaj, e më pas janë liruar” – thuhet në njoftimin e Policisë, më 08.05.2024.

Policia njofton se të dyshuarit janë dërguar në stacionin e policisë në Ferizaj dhe pas intervistimit nga hetuesit rajonal, me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuria Themelore në Ferizaj janë dërguar në mbajtje për 48 orë për procedura të mëtejme hetimore.

Ndërsa, personi i tretë është në kërkim policor.

Sipas Policisë, si prova materiale janë sekuestruar dy traktorët me drunjë dhe tri motosharra.