Ministrja Albena Reshitaj në takim me zyrtarë të BERZH dhe Bankës Europiane për Investime – Foto: MMPH

Ministrja Reshitaj: Trajtimi i ujërave të zeza, me rëndësi për mirëqenien e qytetarëve

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe të Bankës Europiane për Investime.

Në këtë takim është diskutuar për bashkëpunim, ndërtimin e impianteve për trajtimin e ujërave të zeza në Kosovë, infrastrukturës përcjellëse (rrjeti i kanalizimit dhe kolektorët) në Gjilan dhe Mitrovicë si dhe për impiantet që janë në realizim e sipër.

Ministrja Reshitaj tha se ndërtimi i impianteve për trajtimin e ujërave të zeza është me rendësi të madhe për Kosovën dhe mirëqenien e qytetarëve të saj.

“Është prioritet i MMPH-së ndërtimi i impianteve për trajtimin e ujërave të zeza në tërë territorin e Kosovës pasi që lidhet drejtpërdrejt me kualitetin e jetës dhe mbrojtjen e biodiversitetit në vend”, tha ajo.

Ndërkaq përfaqësuesit e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe të Bankës Europiane për Investime, u zotuan që përkrahja për Kosovën në këtë sektor do të  vazhdojë edhe në të ardhmen.