Ministria e Mjedisit nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me GIZ-in gjerman

 

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi sot ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me përfaqësuesit e GIZ-it, për realizimin e projektit ‘Përshtatja ndaj ndryshimeve klimatike, përmes menaxhimit ndërkufitar të rrezikut nga përmbytja në Ballkanin Perëndimor. Projekt i cili ka vlerën e 3 milion eurove.

Ministri Matoshi ka thënë se nënshkrimi i këtij memorandumi është një dëshmi e bashkëpunimit dhe përkrahjes nga Qeveria Gjermane në fushën e mjedisit.

“Qëllimi i këtij projekti është përforcimi i menaxhimit ndërkufitar të rrezikut nga përmbytjet në lidhje me ndryshimet klimatike në Ballkanin perëndimor. Më këtë projekt Kosova do të shënojë edhe me tutje rezultate pozitive në fushën e ndryshimeve klimatike dhe mbrojtje nga përmbytjet. Falënderoj GIZ për ofrimin e 6 stacioneve hidrologjike dhe meteorologjike në basenin e Drinit, Instalimin e data bazës klimatologjik, hidrologjik dhe meteorologjik (MCH) dhe trajnimin për përdorimin dhe mirëmbajtjen e bazës së të dhënave, krijimin e një modeli hidrologjik për parashikimin e përmbytjeve në basenin e Drinit”, ka thënë Matoshi.

Ndërsa sekretarja e parë e ambasadës gjermane në Kosovë, Anja Becky ka thënë se Kosova dhe shtetet e rajonit duhet të jenë të përgatitura për të reaguar në fatkeqësitë natryrore.

“Fatkeqësitë natyrore si përmbytje dhe thatësira, ka kohë që ndodhin në rajon. Neve na duhet ta përgatisim vetën shumë mirë në mënyrë që t’i menaxhojmë ashtu siç duhet këto emergjenca duke i monitoruar por edhe duke i parashikuar këto ndodhi natyrore në mënyrë që të kemi mundësi të përgatisim veten”,  ka deklaruar Becky.

Projekti në fjalë  do të realizohet për tri vite në katër shtete të rajonit.