Shtegu i çiklizmit ne lagjen 'Dardania'

Prishtina planifikon shteg çiklizmi nga Fushë Kosova në parkun “Gërmia”

Komuna e Prishtinës ka në plan që gjatë këtij viti, të lidh rrjetin e shtigjeve të çiklizmit nga Fushë Kosova në parkun “Gërmia”.

Kështu është thënë në një takim të përfaqësuesve të komunës me organizatws gjermane GIZ.

Adrian Berisha, asamblist nga radhët e Partisë Socialdemokrate në kuvendin komunal, thotë se në këtë takim është diskutuar për projektin e çiklizmit dhe vështirësitë që hasin çiklistet si dhe standardet që duhet të përmbajë një shteg çiklizmi.

Sipas tij, komuna ka ndarë 600 mijë euro këtë vit për këto shtigje ku presin që të lidhin Fushë Kosovën me parkun “Gërmia”.

“Bashkë me kolegët nga Komuna, mbajtëm takim me ekspertët e GIZ-it, për të diskutuar rreth strategjisë, planit, standardeve, projektimit dhe ndërtimit të rrjetit të çiklizmit. Në takim diskutuam për projektin, vështirësitë në të cilat hasin çiklistët dhe mbi të gjitha, diskutuam standardet që duhet të përmbajë një shteg i biçikletave në tërësi, duke e marr shembull shtegun tashëm të finalizuar në lagjen ‘Dardania’. Këtë vit, si komunë kemi ndarë 600,000.00 euro për investim në rrjetin e shtigjeve në qytetin tonë dhe gjatë këtij viti, përveç të tjerash, pritet që të ndërlidhet shtegu nga qyteti i Fushë Kosovës deri në Parkun Gërmia”, ka thënë Berisha.

Komuna e Prishtinës ka në plan që të shtrojë rreth 30 kilometra shtigje çiklizmi deri në fund të mandatit, kurse deri tani është përfunduar ai në lagjen “Dardania” dhe rrugën “Agim Ramadani”.