Ministria e Arsimit ‘Hap Dyert’ për Praktikantë nga UP

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë mirëpret 100 studentë  të Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’, për praktikë tre mujore në këtë institucion.

Në vazhdën e memorandumeve të bashkëpunimit për praktika të studentëve të Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’ me ministritë, sot u nënshkrua një e tillë me Ministrinë e Arsimit.

Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami ka bërë thirrje për zgjerim të këtyre marrëveshjeve edhe në ministri të tjera.

“Kjo marrëveshje do të zgjerohet edhe me institucionet tjera publike por besoj që edhe me bizneset. Unë i ftoj të gjithë kolegët ministra që ta ndjekin këtë shembull që të marrim sa më shumë studentë”, tha Bajrami.

Megjithatë, marrëveshja paraprake që UP e kishte me Ministrinë e Financave u përball me probleme rreth pagesës së studentëve praktikantë.

Në KALLXO.com kanë ardhur disa raporte rreth vonesës së pagave apo mospagesës së studentëve nga Ministria e Financave.

http://kallxo.com/studentit-praktikant-nuk-jepen-pagat/

Mirëpo, ministri Bajrami u zotua se një problem i tillë nuk do të ndodhë me MASHT meqenëse sipas tij është planifikuar buxheti përkatës.

“Kemi siguruar buxhetin, ata do të paguhen në nivel të pagës minimale të Kosovës, do të marrin paga të rregullta mujore”, deklaroi ai.

Këto marrëveshje në përgjithësi, Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema i cilësoi si pjesë e reformës së këtij universiteti.

“Universiteti i Prishtinës po bën reforma në të gjitha fushat ku përfshihen edhe praktikat e studentëve. Të gjitha institucionet publike por edhe disa private iu kanë përgjigjur kësaj kërkese që studentët tanë të kryejnë punën praktike, që të kenë shansin e zbatimit të njohurive në praktikë”, tha Dema.

Praktika e Studentëve në Ministrinë e Arsimit pritet të zhvillohet në Institutin Albanologjik, atë të Historisë dhe pedagogjisë.

Ndërkaq sipas ministrit përveç pajisjes me certifikata , studentët praktikantë do t’i nënshtrohen një testimi që determinon edhe punësimin eventual të tyre.