Ministri malazez i Mbrojtjes për transformimin e FSK-së: Mali i Zi nuk përzihet në çështjet e brendshme të vendeve fqinje

Ministri për Forcën e Sigurisë të Kosovës, Rrustem Berisha ka pritur sot në takim Ministrin e Mbrojtjes së Malit të Zi, Predrag Boshkoviç.

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha tha se në këtë takim është biseduar rreth situatës e sidomos për procesin e tranzicionit në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

“Biseduam për mënyrën e avancimit të bashkëpunimit në të ardhmen. Mali i Zi gjithmonë ka qenë dhe është një partner shumë i rëndësishëm për FSK-në dhe jeni të sigurt që edhe në të ardhmen do të jetë një partner shumë i rëndësishëm për ne”, ka thënë Berisha.

Berisha ka falënderuar Malin e Zi për angazhimin e tyre në bashkëpunimin rajonal në përgjithësi.

Ndërsa, Ministri i Mbrojtjes së Malit të Zi, Predrag Boshkoviç tha se qëllimi i vizitës së tij është që të kontribuoj për kushte sa më të mira për përmirësimin dhe promovimin e iniciativës për anëtarësim të vendeve në Evropë dhe në NATO.

“Mali i Zi është një avokat i mirë i gjithë regjionit në mënyrë që të bëjë reforma,  por si vendi i vogël që jemi me të vërtet kemi bërë mjaft që të integrohemi në NATO dhe në BE”, tha Boshkoviç.

Ministri shtoi se kjo vizitë në Prishtinë tregon se Mali i Zi ka një partneritet të veçantë me Kosovën.

Ministri malazez në këtë konferencë ka folur edhe për ndryshimin e ligjit për transformimin e FSK-së.

“Ne nuk përzihemi në çështjet e rëndësishme të vendeve fqinje dhe mbesim me gjasë që njerëzit në Prishtinë të zgjedhin këtë çështje dhe të kontribuojnë në stabilitet”, u shpreh Boshkoviç.

LIVEKonferencë për shtyp: Ministri për Forcën e Sigurisë të Kosovës, Rrustem Berisha dhe Ministri i Mbrojtjes të Malit të Zi, Predrag Boshkoviq

Publiée par Kallxo.com sur Mardi 23 octobre 2018