Ministri i Punës: Synojmë ndalimin e diskriminimit të grave në punë

Ideja e uljes së barrës së bizneseve në pagesën e pushimit të lehonisë së punëtorëve po shihet si mënyrë e ndalimit të diskriminimit të grave shtatzëna në punë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Një projektligj i ri që synon të rregullojë specifikisht çështjen  e pushimit të lehonisë dhe prindëror pritet ta përgjysmojë numrin e muajve që një punëdhënës duhet t’ia paguajë punëtores që shkon në pushim të lehonisë.

Aktualisht, me Ligjin e Punës, punëdhënësit janë të detyruar të paguajnë 70 përqind të pagës bazë së një punëtoreje për 6 muajt e parë të pushimit të lehonisë.

Ndërkaq me projektligjin e ri, pritet që kjo pagesë të bëhet vetëm në tre muajt e parë.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica për emisionin ‘Jeta në Kosovë’ thotë se kanë menduar që të sigurojnë stabilitet të grave në punë dhe aktivizim të tyre në tregun e punës.

Ai tha se arsyeja që është zvogëluar numri i muajve që bizneset do të kenë barrë ta paguajnë është që të sigurohet që gratë nuk do të penalizohen për shkak të pushimit të lehonisë.

“Në të kaluarën nuk ka ndodhur që një nënë lehonë ta humb vendin e punës në sektorin publik por në sektorin privat brenda këtij mandati unë kam takuar shumë nëna lehona që kanë humbur vendin e punës, arsyetimet kanë qenë prej më të ndryshmeve por shkaktari ka qenë shtatzania dhe pushimi i lehonisë dhe këtu kemi vënë theksin që të krijojmë mekanizma që të krijohet një siguri që nëna lehonë pas pushimit të lehonisë të vazhdojë të punojë aty ku ka qenë”, tha ministri Reçica.

Sipas ministrit është paraparë që në kuadër të reformës së sistemit pensional të krijohet një fond për sigurimet sociale, që të hiqet në tërësi barra e pagesës nga punëdhënësit.

Duke komentuar kritikat ndaj projektligjit, ministri tha se nuk ka pasur interesim të madh për komente gjatë diskutimeve publike të këtij projektligji.

Lidhur me këtë projektligj në emisionin ‘Jeta në Kosovë’, pati kritika nga shoqëria civile ndërsa i njëjti u lavdërua nga bizneset.

Për këtë temë flasin edhe sindikalistët dhe akterë të tjerë.

Emisionin e plotë mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: