Bankomat - Foto: REL/Reuters

Ekzekutimi i pagesave për qytetarët e larguar nga puna gjatë pandemisë, në dorë të MPMS-së

Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike, parasheh kompensimin e punëtorëve të cilët janë të larguar nga puna gjatë kohës së pandemisë.

Në bazë të nenit 12 të këtij ligji, parashihen pagat e punëtorëve në sektorin privat.

“Paguhen nga ana e buxhetit të Republikës së Kosovës, pagat e punonjësve në sektorin privat për periudhën tetor-dhjetor 2020, të cilët si pasojë e pandemisë COVDI-19, janë larguar apo pezulluar nga puna e tyre, për periudhën jo më të shkurt se tre muaj, pas datës 29 shkurt 2020, e deri më dhjetor 2020”, thuhet në ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike.

Tutje, në ligj thuhet se shuma e pagesës për punëtorët është 300 euro për një muaj.

Qeveria e Kosovës, deri më sot nuk ka dhënë ndonjë afat të caktuar për kategorinë e personave të cilët janë larguar nga vendi i tyre i punës, se kur do të bëhet kompensimi i pagave të tyre.

KALLXO.com gjatë ditës së sotme ka kontaktuar me ministren e Ministrisë së Financave, Hykmete Bajrami, e cila ka thënë se mjetet për kategori janë ndarë nga Qeveria e Kosovës.

“Mjetet i kemi ndarë, janë ndarë tek Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, e po ashtu është formuar edhe një grup ndërministror për të caktuar kriteret dhe mënyrën e aplikimit”, ka thënë Bajrami.

Tutje, KALLXO.com ka marr një përgjigje edhe nga ministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, i cili ka thënë se MPMS është duke punuar në caktimin e kritereve për këtë kategori të punëtorëve.

“Ne jemi duke punuar në këtë drejtim dhe shpejt do të dalim me njoftim dhe me mënyrën e aplikimit për të gjithë ata të cilët kanë humbur vendin e punës gjatë pandemisë. Jemi duke punuar edhe për kriteret por edhe për njoftimin për aplikim se kur do të hapet thirrja, kush do të ketë të drejt të aplikoj”, ka thënë Reçica.

Reçica nuk ka pranuar të jap datë se kur do të bëhet ekzekutimi i pagesave, por që ka paralajmëruar se së shpejti do të dalin me njoftim.

“Do të përpiqemi të nxjerrim kritere që të krijohet mundësia për të gjithë ata që kanë humbur vendin e tyre të punës dhe ata të cilët dëshmojnë se ju është  shkëputur kontrata e punës për shkak të pandemisë dhe ngufatjes së bizneseve do të kenë të drejt të aplikojnë. Nuk do të nxjerrim kritere të cilët nuk do të arrijnë që t’i plotësojnë, kjo pritet së shpejti, jemi duke punuar”, u shpreh ai.

Dekretohet Ligji për rimëkëmbjen ekonomike