Ilustrim

Ministria e Shëndetësisë pagoi një specializante 1 mijë e 831 euro më shumë se sa ishte e obliguar

Ministria e Shëndetësisë ka paguar një specializante 1 mijë e 831 euro më shumë se sa ka qenë e obliguar. Punonjësja nga Ministria e Shëndetësisë është paguar 3 mijë e 811 euro ndërsa vlera që duhej paguar ishte 1 mijë 980 euro.

Kjo pagesë është bërë pasi punonjësja ka dalë në pushim të lehonisë. Ministria e Shëndetësisë te e njëjta ka kryer pagesa të plota të pagës së bashku me pagesën e shujtave dhe shtesën për COVID-19, e jo siç ka qenë e obliguar me ligj.

Në Ligjin e Punës përcaktohet se 6 muajt e parë të pushimit të lehonisë pagesa bëhet nga punëdhënësi me kompensim 70% të pagës bazë.

Sipas Zyrës Kombëtare të Auditorit, ky kompensim është bërë në kundërshtim me Ligjin e Punës.

raportin e auditimit për Ministrinë e Shëndetësisë thuhet se kjo kishte ndodhur si rezultat i numrit të madh të specializantëve dhe mungesës së kontrolleve për specializantët nga ana e zyrtarëve përgjegjës të ministrisë.

Ky kompensim ka ndikuar që të dëmtohet buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë dhe tejkalimi i kërkesave ligjore.

Auditori ka rekomanduar që të ndërmerren të gjitha veprimet për të siguruar monitorim të vazhdueshëm të punonjësve/specializantëve ashtu siç parashihet me aktet ligjore. Në rastet e tejkalimeve duhet të aplikohet ndalesa në pagë për të korrigjuar dhe evituar dëmtimin e buxhetit për vlerën e tejkaluar.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime në Ministria e Shëndetësisë në lidhje me këtë rast por deri në publikimin e artikullit nuk ka marrë përgjigje.