Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

ZKA: MPDJ ia kompensoi dy punëtoreve pushimin e lehonisë edhe për një muaj shtesë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) kishte kompensuar edhe për një muaj shtesë dy punëtore që kishin qenë në pushim të lehonisë.

Kjo është një nga gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për vitin 2022 për MPDJ-në.

Sipas ZKA-së Ligji i Punës përcakton se për gjashtë (6) muajt e parë të pushimit të lehonisë pagesa bëhet nga punëdhënësi me kompensim 70% të pagës bazë. Tre (3) muajt në vijim, pushimi i lehonisë paguhet nga Qeveria e Kosovës me kompensim 50% të pagës mesatare në Kosovë dhe tre (3) muajt e fundit pushimi i lehonisë është pa pagesë.

“Në dy raste (Në Ambasadën në Londër dhe Konsullatën në Strasburg), kemi identifikuar se kompensimi prej 70% të pagës bazë në shfrytëzimin e pushimit të lehonisë të zyrtareve në misione kishte vazhduar për 1 muaj më tepër”- thuhet në raport.

Sipas raportit, tejkalimi për këto dy raste ishte 2,908€.

“Pas identifikimit nga auditori, janë ndërmarr masa nga ministria dhe iu është bërë ndalesa në muajin maj 2023”- thuhet në raport.

Tutje në raport ZKA ka sqaruar edhe arsyet se përse ka ndodhur ky problem.

“Kjo kishte ndodhur për shkak të vonesave në njoftimet nga ana e stafit në pushim të lehonisë dhe mungesa e kontrolleve të brendshme të zyrtarëve në burime njerëzore”- thuhet tutje në raport.

Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) mos aplikimi i procedurave të duhura të kontrollit gjatë procedimit të pagave ndikon në rritjen e shpenzimeve të MPJD.

ZKA ka rekomanduar ministren Donika Gërvalla që të sigurojë funksionimin efektiv të kontrolleve në mënyrë që procedimi i pagave ndaj lehonave dhe të tjerëve të verifikohen paraprakisht për të shmangur pagesat e parregullta.

Më këtë gjetje të Zyrës Kombëtare të Auditimit janë pajtuar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD).