Foto: Albin Kurti/ Facebook

Kosova s'do të ketë fëmijë të uritur, premton Kurti

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka premtuar se me ardhjen e tij në pushtet asnjë fëmijë nuk do të mbetet i uritur dhe nuk do të mbetet prapa.

Premtimi i radhës i Kurtit është se familjet që kanë të ardhura të ulëta do të përfitojnë për çdo fëmijë, varësisht nga të ardhurat vjetore që familja ka.

Ai ka thënë se familjet do të marrin nga 50 euro për fëmijë nëse kanë të ardhura vjetore më pak se 7 mijë euro, nga 100 euro për fëmijë nëse kanë të ardhura vjetore më pak se 6 mijë euro dhe nga 150 euro për fëmijë nëse kanë të ardhura vjetore më pak se 5 mijë euro.

Në kuadër të programit për politikat sociale, kryetari i partisë fituese të zgjedhjeve të 14 shkurtit, Albin Kurti, është zotuar se të gjitha familjet do të përfitojnë shtesa mujore nga 20 euro për çdo fëmijë nën 2 vjeç dhe 10 euro për fëmijët mes moshës 2 deri 16 vjeç.

Te premtimet të cilat do t’i realizojë gjatë mandatit, Kurti ka radhitur edhe pushimin e lehonisë për të dy prindërit.

“Neni 50 i Kushtetutës garanton mbrojtjen, kujdesin dhe mirëqenien e fëmijëve tanë. Pushimi i lehonisë për prindërit do të jetë 12 muaj, kurse nënat e papunësuara do të përfitojnë 250 euro në gjashtë muajt e parë të lehonisë”, thuhet në postimin e Albin Kurtit në Twitter.

Në fund, Kurti ka premtuar po ashtu se do të hapen edhe 160 çerdhe të reja në gjithë territorin e vendit dhe do të ofrohen shujta falas për të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e pestë.

Që nga shpallja e rezultateve preliminare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në bazë të të cilave LVV ka dalë partia e parë me 47,85% të votave, Albin Kurti ka filluar të publikojë projektet për të cilat zotohet se do t’i përfundojë gjatë mandatit të tij si kryeministër.