Ministri Gashi kërkon llogari për dëmtimin e artefaktit

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe ministri Gashi ka reaguar përmes një komunikate pas dëmtimit aksidental të një artefakti nga punëtorët e Institutit të Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve.

Javën e kaluar Koha.net kishte publikuar një video në të cilën shihej se si për shkak të pakujdesisë punëtorë të IKMM, thyejnë një artefakt- Pitos, çka edhe ka shtyrë MKRS dhe Gashin të reagojnë.

Ministri Gashi ka kërkuar raport të detajuar nga i gjithë zinxhiri i hierarkisë në lidhje me këtë ngjarje të shëmtuar, pra dëmtimit nga pakujdesia e rëndë dhe e papranueshme e Pitosit, i cili ka qenë i ekspozuar në ambientet e IKMM-së.

“Sipas Ligjit Nr. 02/L – 088 për Trashëgimi Kulturore dëmtimi dhe shkatërrimi i objekteve të luajtshme të trashëgimisë kulturore janë vepra të dënueshme dhe përbëjnë bazë për përgjegjësi në përputhje me legjislacionin penal dhe kundërvajtës, andaj sapo të pranohen raportet e të gjitha institucioneve dhe personave kompetentë në lidhje me këtë rast do të ndërmerren të gjitha veprimet konkrete në përputhje me legjislacionin në fuqi si dhe do të merren të gjitha masat ligjore për këtë rast”, thuhet në reagimin e MKRS-së pas aksidentit me artefaktin.

Por sipas reagimit, MKRS-ja premton se çdo rast të tillë nuk do ta tejkalojë pa llogaridhënie, duke vepruar me vendosmëri drejt zbatimit të kuadrit ligjor, i cili e obligon atë në korniza të mandatit për të ruajtur dhe mbrojtur me rigorozitet vlerat e objekteve dhe aseteve të trashëgimisë sonë të përbashkët kulturor.