Foto: KALLXO.com

Instituti i Monumenteve vendos për punimet për bazamentin e NEWBORN-it

Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM) ka vendosur për dhënien e lejes për vazhdimin e punimeve për rregullimin e bazamentit të monumentit NEWBORN.

Më 27 shkurt  2020, Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore nxori një vendim përmes të cilit i ndalonte punimet për bazamentin e NEWBORN-it pa leje paraprake nga IKMM-ja.

Komuna e Prishtinës kishte kërkuar vazhdimin e lejes për punimet për këtë monument në këtë Institut.

Ismet Hajrullahu, drejtori i IKMM-së, ka thënë në një prononcim për KALLXO.com se Komisioni i IKMM ka vendosur sot për t’i vazhduar lejen Komunës së Prishtinës për punimet te NEWBORN-i.

“Po, kemi vendosë për vazhdimin e lejes. Komisioni i IKMM-së ka shqyrtuar sot kërkesën dhe  ka vendosur për t’i vazhduar lejen për punimet në bazamentin e monumentit”, ka thënë drejtori Hajrullahu.

Ai shtoi se leja e lëshuar më herët nga IKMM kishte një afat kohor njëvjeçar.

Ndërsa, zyrtarë të Komunës së Prishtinës kanë mirëpritur vendimin e IKMM-së për punimet për bazamentin.

“Natyrisht ne mirëpresim dhënien e pëlqimit për vazhdimin punimeve dhe normalisht se punimet do të rinisin”, ka thënë Miranda Mullafazliu, zëdhënëse e Komunës së Prishtinës.

Vendimi për ndalimin e punimeve te NEWBORN-i ishte marrë më 27.02.2020 nga ana e Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore. Arsye e kësaj ndalese ishte se punimet kishin nisur pa pasur pëlqimin paraprak nga IKMM-ja meqë NEWBORN-i është në listën e monumenteve të mbrojtura nga shteti.

“Vendimin e kemi nxjerrë me datën 27/02/2020 e të cilin e kemi përcjellë menjëherë te të gjitha palët, përfshirë edhe kompaninë e kontraktuar nga komuna. Punimet aty nuk do të vazhdojnë deri në marrjen e pëlqimit, pasi në dispozitiv të vendimit i kemi paralajmëruar me pasojat e mosrespektimit të të njëjtit”, ka pohuar inspektori i ITK-së Pajtim Zogaj, për KALLXO.com.

Pas 11 vitesh, ‘NEWBORN’ pritet të bëhet me bazament