Foto: Ec ma ndryshe

'Ec ma ndryshe' reagon ndaj vendimit Institutit të Mbrojtjes së Monumenteve

Organizata “Ec ma ndryshe” ka reaguar sot gjatë ditës, përmes një njoftimi publik, lidhur me aprovimin e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve të një projekti për ndërtimin e një kompleksi afaristo-banesor në afërsi të Qendrës Historike të Prizrenit.

“Ec ma ndryshe” ka reaguar, siç thuhet në reagim ndaj vendimit kundërthënës të IMMK-së për lejim të ndërtimit të kompleksit afarist-banesor gjashtë-katësh në afërsi të Qendrës Historike të Prizrenit.

Këtij reagimi, të “Ec ma ndryshe” i janë bashkuar edhe 8 organizata tjera që në fokus të tyre kanë promovimin dhe mbrojtjen e vlerave kulturore dhe të tarshëgimisë.

“Instituti i Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve në Prishtinë me vendim të datës 14.10.2019 ka aprovuar projektin ideor të kompleksit afaristo banesor me etazhitet B+P+5. Lokacioni i projektit gjendet në afërsi të Qendrës Historike të Prizrenit, gjegjësisht në Zonën e Dytë të Mbrojtjes. Për më tepër lokacioni i ndërtimit është në kuadër të Kompleskit të Nënkalasë, Pantelisë dhe Potokmahallës (nr.rendor 2983) dhe në afërsi të Postës së parë të qytetit (nr.rendor 775) dhe Kazermës së Vjetër – Internatit (nr.rendor 4204), të trija këto me numër rendor të cekur dhe që janë pjesë e Listës së trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përkohshme të MKRS-së”, thuhet ë reagim.

Sipas këtij reagimi, në kompleksin e Pantelisë, në të kaluarën gjendeshin ish- sarajet e periudhës otomane të ndërtuara nga Mahmut Pashë Rrotulli (shek XIX) bashkë me Kazermën ushtarake, ndërtesën e Postës dhe një çajtore nga po e njëjta periudhë që ka mbijetuar, përfshi këtu edhe kompleksin e fabrikës “Farmakos” e ndërtuar më 1963.

“Ec ma ndryshe” konkludon më tej, se fakti se këtu janë gjetur edhe disa monumente epigrafike të periudhës romake le të hapur supozimin për ekzistimin e gjurmëve arkitektonike të kësaj periudhe, gjithnjë duke pasur parasysh se monumentet kanë mundur të vendosen aty më vonë.

Komuna e Prizrenit, thuhet në reagimi, gjegjësisht DUPH edhe pse ka filluar me procesin e hartimit të Hartës Zonale, ka ende në fuqi Planin Zhvillimor Urban (PZHU).

“Në bazë të analizave, të dhënave dhe konform parimeve ndërkombëtare për zonim të vlerave të trashëgimisë kulturore, ky Plan definon tri Zona nën Mbrojtje në kuadër të qytetit të Prizrenit: Zonën e Parë e Mbrojtjes (Qendrën Historike të Prizrenit), Zonën e Dytë e Mbrojtjes dhe Zonën e Kontaktit. Lokacioni ku është dhënë pëlqimi për ndërtim gjendet në Zonën e Dytë të Mbrotjes. Sipas kapitullit 5 (Mbrojtja e trashëgimisë kulturore) të Planit Zhvillimor Urban (PZHU) të Prizrenit, gjegjësisht sipas nenit 5.11, të këtij kapitulli mes tjerash ceket se “Zona e Dytë e Mbrojtjes përfshin pjesë të qytetit të vjetër me integritet më të vogël urbanistik dhe arkitektonik, por i cili mund të identifikohet si sistem i tërësishëm urban dhe i cili detyrimisht kërkon forma të koordinuara të veprimit. Kjo zonë akoma reflekton me komplekse dhe objekte me vlera historike, arkitektonike e ambientale por të cilat janëtransformuar ashtu që është vënë në rrezik karakteri historik, arkitektonik dhe ambiental i zonës…”. Në nenin 5.15, pika 2 ceket se leja për zhvillim (përfshirë ndryshimin e destinimit ose rizhvillimin) do të ipet me kusht që: të avancohet karakteri i gjithëmbarshëm, pamjet dhe shtrirja e komplekseve me fizionomi të veçantë, si dhe i ndërtesave dhe terrenit përrth tyre”, thuhet në reagimin e ‘Ec ma ndryshe” dhe organizatave tjera.

Shkaku i kompleksitetit të lokacionit me shtresime të periudhave të ndryshme kulturore (Romake, Otomane, Moderne), OJQ -të kundërshtuese të vendimit të IKMM për aprovimin e projektit për ndërtimin e kompleksit banesor në afërsi të Qendrës Historike në Prizren, rekomandojnë që fillimisht të kryhen hulumtimet dhe studimet e duhura paraprake (përfshi këtu dhe gërmimet arkeologjike) sepse çfarëdo ndërtimi i ri mund të degradojë zbulimet potenciale e rrjedhimisht dëmtim të mëtutjeshëm të karakterit historik të lokacionit.

“EC Ma Ndryshe, bashkë me organizatat tjera të nënshkruara në këtë Reagim shprehin shqetësimin e tyre për degradim e shkatërrim të vlerave të trashëgimisë kulturore në Prizren dhe kërkon nga MKRS, IKMM dhe Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore të rishqyrtojnë ligjshmërinë e këtij vendimi kundërthënës. Poashtu kërkojmë nga Komuna e Prizrenit / DUPH të mos merr hapa të ngutshëm të dhënies së lejes së ndërtimit, sepse humbja e vlerave të trashëgimisë është një proces i pakthyeshëm”, thuhet në reagim.

Në reagim u bëhet thirrje institucioneve shtetërore që të veprojnë me seriozitet të plotë për zbatim të legjislacionit për ruajtjen dhe mbrojtjen e këtyre vlerave.

Reagimit i janë bashkangjitura emrat e OJQ-ve, vendimi i IKMM dhe foto të monumenteve të mbrojtura.

Organizatat e nënshkruara:

  1. OJQ EC Ma Ndryshe.
  2. OJQ X40.
  3. Fondacioni LUMBARDHI.
  4. Fondacioni Trashëgimia Kulturore pa Kufij CHwB Kosova.
  5. OJQ Autostrada Biennale.
  6. OJQ NRO) Durmish Asllano.
  7. Kosovo Architecture Foundation Kosovo Architecture Festival.
  8. DoCoMoMo_Kosova.
  9. OJQ THY.