Ministri i Arsimit Shkarkon Bordin e Agjencisë së Akreditimit – Dokument
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka marrë vendim për shkarkimin e Bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (Këshillit Shtetëror të Cilësisë – KShC), si dhe ushtruesin e detyrës së drejtorit të kësaj Agjencie.
Këtë vendim ministri e ka marrë pas kërkesës së kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili ka kërkuar edhe fillimin e menjëhershëm të procedurave për zgjedhjen e bordit të ri dhe drejtorin e AKA-së.
Kryeministri Haradinaj këtë kërkesë e ka bërë duke e arsyetuar se procesi i akreditimit në arsimin e lartë është përcjellë me parregullsi serioze, ndërsa ka kërkuar nga ministri që procesi i ri të rezultojë me përzgjedhjen e njerëzve me ekspertizë të duhur në sektorin e arsimit, etike dhe profesionale.
Kërkesën e kryeministrit Haradinaj e ka quajtur të paqartë Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA).
Ndërsa, shpreh kënaqësinë për interesimin e nivelit qendror për çështjet që lidhen me arsimin e lartë, ORCA është e shqetësuar me “arsyet e pamjaftueshme” të kërkesës së kryeministrit drejtuar ministrit të Arsimit për shkarkimet në fjalë.
ORCA thekson se parregullsitë e mëdha janë zhvilluar nga ana e bartësve të arsimit të lartë, kryesisht atyre privatë të cilët e kanë rrezikuar dhe vazhdojnë ta rrezikojnë cilësinë e arsimit të lartë.
“Vendimet e fundit të AKA dhe KShC kanë qenë kundër këtyre parregullsive dhe në favor të ngritjes së cilësisë së arsimit të lartë në vend duke pezulluar qindra akreditime programesh të cilat nuk kanë plotësuar kriterin minimal të tre profesorëve bartës të tyre dhe duke tërhequr disa akreditime programesh si pasojë e mashtrimeve nga bartës të ndryshëm të arsimit të lartë”, thuhet në reagimin e kësaj organizate.
Duke pasur parasysh zotimin e Haradinajt për transparencë, ORCA pret nga Zyra e Kryeministrit të sqarojë për publikun, për hisedarët institucionalë dhe ata të shoqërisë civile, arsyet e detajuara për një kërkesë të tillë.
Ndërsa KALLXO.com ka siguruar kërkesën e kryeministrit Ramush Haradinaj drejtuar ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi.