Jep dorëheqje kryetari i Komisionit të Ankesave në Agjencinë e Akreditimit

Kryetari i Komisionit të Ankesave të Agjencisë së Akreditimit, Faton Merovci ka dhënë dorëheqje.

Merovci ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga kjo pozitë më 11 nëntor të vitit 2021 dhe nuk ka treguar arsyet.

“Jap dorëheqje të parevokueshme nga pozita e anëtarit të përhershëm të Komisionit të Ankesave në Agjencinë e Kosovës për Akreditim”, ka thënë Merovci, sipas letrës së dorëheqjes të siguruar nga KALLXO.com.

Ky komision për momentin ka mbetur me vetëm një anëtar të përhershëm, Muhamet Qerimi, sepse edhe ish-anëtarja e përhershme, Krenare Sogojeva- Dërmaku kishte dhënë dorëheqje, pasi u zgjodh Komisionere e Agjencisë për Informim dhe Privatësi.

Në këtë bord janë edhe dy anëtarë alternativë/rezervë, Bujar Pira dhe Haki Demolli.

Komisioni i Ankesave të Agjencisë së Akreditimit me këtë përbërje ishte themeluar më 8 shtator të vitit 2020 dhe që nga ajo kohë ishin shqyrtuar ankesat e institucioneve të arsimit të lartë.

Komisioni i Ankesave është organi i cili trajton dhe shqyrton ankesat e parashtruara ndaj vendimeve të KShC-së, i cili përbëhet nga tre anëtarë të përhershëm dhe dy anëtarë rezervë.

Agjencia e Akreditimit në vitin 2019 ishte pa Komision të Ankesave dhe shumë ankesa të institucioneve të arsimit të lartë kishin mbetur pa u shqyrtuar.

Emërimi i anëtarëve të rinj të Komisionit të Ankesave bëhet nga ana e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.