Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Rexhaj jep detaje për Projektligjin për Agjencinë e Akreditimit

Ish-zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Xhavit Rexhaj në “Kallxo Pernime” ka dhënë detaje sa i përket Projektligjit për Agjencinë e Akreditimit të Kosovës, i cili është punuar në mandatin e tij.

Rexhaj tha se ky Ligj parasheh që në procesin e vlerësimit të programeve akademike do të përfshihen edhe ekspertë vendorë.

“Sipas Projektligjit për Agjencinë e Akreditimit në KShC do të mbeten prapë 3 anëtarët ndërkombëtarë dhe 6 vendorë. Sa i përket ekspertëve është paraparë që të përfshihen edhe ekspertët vendorë, ekipe të përziera, por vendori nuk mund të jetë udhëheqësi i ekipit për dy arsye: Kosova është e vogël dhe ka njerëz që punojnë në institucione”, tha Rexhaj.

Ai shtoi se me këtë Ligj është paraparë të rregullohet edhe konflikti i interesit.

“Po ashtu Projektligji i AKA-së për konfliktet e interesit thotë se për me qenë pjesë e KShC-së nuk duhesh me qenë tri vitet e fundit në udhëheqje të një partie dhe në pozita udhëheqëse”, tha më tej Rexhaj.

Rexhaj theksoi se në këtë fazë ky Projektligj është në diskutim publik dhe sipas tij, nuk pret që të ndryshohet në tërësi ai draft i punuar.