Drejtuesit e ENQA dhe AKA diskutojnë për rikthimin e Kosovës në ENQA dhe EQAR
Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), Naim Gashi dhe zyrtari i lartë i AKA-së, Shkelzen Gërxhaliu, kanë zhvilluar një takim me drejtoreshën e Asociacionit Evropian të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), Anna Gover dhe menaxherin për vlerësim, Goran Dakoviq, ku kanë biseduar për rikthimin e Kosovës në këto organizata.
Sipas një njoftimi për media, temë e këtij diskutimi ishte aplikimi i AKA-së për anëtarësim në ENQA.
“Drejtuesit e ENQA-së kanë vlerësuar punën e AKA-së në adresimin e standardeve evropiane (ESG) për sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë dhe zbatimin e rekomandimeve të ENQA nga vlerësimi paraprak”, thuhet në njoftim.
Drejtuesit e AKA-së dhe ENQA u pajtuan që AKA të aplikojë për vlerësim nga ENQA, për t’i hapur rrugë regjistrimit në Regjistrin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR).
Tutje është bërë e ditur se AKA do të aplikojë edhe për anëtarësim si “affiliate member” në ENQA.
“Menaxheri për vlerësim i ENQA, Goran Dakovic ka thënë se Agjencia e Kosovës për Akreditim ka bërë shumë për adresimin e ESG-ve dhe rekomandimeve të ENQA. Dakovic ka thënë se AKA ka investuar resurse të konsiderueshme për angazhimin e ekspertëve ndërkombëtarë si vlerësues të jashtëm”, thuhet më tej.
Drejtori i AKA-së, Naim Gashi ka thënë se Qeveria e Kosovës e ka miratuar Ligjin për AKA-në, i cili tashmë është proceduar për në Kuvendin e Kosovës, dhe se miratimi i këtij ligji garanton pavarësi institucionale dhe financiare, sipas rekomandimeve të ENQA.
Gashi ka thënë se AKA, konform planit dinamik ka zbatuar të gjitha rekomandimet e ENQA dhe po përgatitet për vlerësim nga ky institucion evropian i sigurimit të cilësisë.
Në vitin 2019, Kosova ishte përjashtuar nga Asociacioni Europian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA). Ndërsa, në vitin 2018, Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR), e kishte përjashtuar Agjencinë Kosovare të Akreditimit nga anëtarësia për shkak të shkarkimit të bordit të kësaj agjencie që ishte bërë me kërkesë të ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj.
Agjencia e Kosovës për Akreditim me emërimin e drejtorit të ri, Naim Gashi ka filluar punën për plotësimin e rekomandimeve të dhëna nga ENQA dhe EQAR në mënyrë që të rikthehet Kosova në institucionet evropiane të sigurimit të cilësisë.
Raporti i Progresit për këtë vit kishte lavdëruar punën e Agjencisë Kosovare të Akreditimit(AKA).