Milaim Zeka - Foto: KALLXO.com

Milaim Zeka: AKP burim i vrasjeve dhe vetëvrasjeve

Deputeti, Milaim Zeka tha se të gjithë si qytetarë të Kosovës e dinë që AKP ka qenë, siç u shpreh ai, kazani i shkaktimit të shumë tragjedive në mesin e qytetarëve të Kosovës.

Komentet e Zekës u bënë gjatë debatit në Kuvend rreth ligjit për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme që ka të bëjë me Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

“AKP ka qenë burim i shumë vrasjeve, AKP ka qenë burim i shumë vetëvrasjeve dhe ne e dimë një gjë të tillë. Dhe e dimë se Serbia vetëm fabrikën e cigareve në Nish e ka shit mbi 700 milion euro. Ndërsa, ne krejt pasurinë e Kosovës e kemi shti diku 700 ose 800 milion euro”, tha ai.

Prej 2002, sipas deputetit Zeka ekziston piramidë e krimit në këtë gjykatë.

“Kjo gjykatë është udhëheqë nga klasa politike e Kosovës, nga njerëzit e fortë të Kosovës”, tha Zeka.

Ai shtoi se ky është një ndër ligjet më të rëndësishme dhe se do ta përkrahë në leximin e parë.