Meha nuk Del në Komision pas Sulmit

Vetura e Mehës, drejtuesit të Komisionit për Demarkacionin me Malin e Zi u sulmua sot me ngjyrë të kuqe nga aktivistë të “Vetëvendosjes”.

Meha pas këtij sulmi njoftoi komisioni  se nuk do të raportojë para tij për procesin e përcaktimit të vijës kufitare me shtetin fqinj.

Njoftimi i Mehës detyroi kryetarin e Komisionit për Integrime Xhavit Halitin që ta anulojë mbledhjen e paraparë për sot.

“Unë kërkoj që kjo mbledhje të ndërpritet për shkak së është sulmuar z.Meha. Ai ka njoftuar se nuk mund të jetë prezent në këtë mbledhje. Qëllimi i jonë sot ka qenë që të diskutojmë për paqartësitë dhe pastaj të mbajmë një konferencë,” tha Haliti.

Pas këtyre fjalëve Haliti u nis të dalë nga salla ku do të zhvillohej mbledhja, por me kërkesë të deputetit Arben Gashi ai u kthye në sallë.

Deputetja Vjosa Osmani duke shprehur keqardhje për sulmin ndaj Mehës, tha se deputetët kanë punuar edhe në rrethana të jashtëzakonshme

“Mua më vjen keq për rastin, mirëpo dua të ju kujtoj se edhe ne si deputetë kemi punuar në rrethana te jashtëzakonshme duke punuar nën gaz e duke miratuar ligje në salla të ndryshme,” tha Osmani.

Osmani tha se mbledhja ku Meha pritej të fliste nuk ishte e organizuar si duhet. Sipas saj është dashur që të ketë edhe mysafirë të tjerë, duke përfshirë ekspertë e historianë të ndryshëm të cilët do të ndihmonin në ndonjë formë.

Të pranishëm në këtë komision pas bojkotimit të gjatë ishin edhe dy deputetët e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Glauk Konjufca dhe Shqipe Pantina, të cilët patën një komunikim jo të këndshëm verbal me Xhavit Halitin.

Kur Konjufca e Pantina kërkuan që të vazhdohet mbledhja, reagoi Haliti.

“I keni qitë njerëzit në rrugë për ta sulmuar Mehën e tash po kërkoni me fol,” u përgjigj Halili.

Ndërsa pas takimi, Konjufca deklaroi se mosardhja e Mehës nuk ka të bëjë asgjë me sulmin që ka ndodhur sot gjatë ditës.

“Arsyeja pse Meha nuk ka ardhur nuk ka të bëjë me rastin qe ka ndodhë, po për shkak të gabimit që ai e ka bërë sepse ai e ka kuptuar krimin që e ka bërë,” tha Konjufca.

Deputetët u morrin vesh që shumë shpejt ta thërrasin përsëri Mehën në takim, ndërsa Konjufca nuk pranoi të tregojë nëse VV-ja do të ndërmarrë përsëri një akt të tillë.

Meha edhe në janar të këtij viti ishte sulmuar me vezë nga “Vetëvendosja”.

http://kallxo.com/murat-meha-caku-i-radhes-i-vezeve-te-vetevendosjes/