Me këto aktivitete shënohet ‘Dita e Diasporës në Prekaz’

Në kuadër të Ditëve të Diasporës, që i kushtohet bashkatdhetarëve, Komuna e Skenderajt sonte do të organizoj një koncert festiv me këngëtarë të shquar të estradës shqiptare dhe grupe profesioniste valltarësh.

Komuna e Skenderajt njofton se aktivitetit do t’i paraprijnë homazhet në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, udhëhequr nga kryetari i Komunës, Bekim Jashari, dhe nga dy ministrat e Diasporës, ai i Shqipërisë, Pandeli Majko dhe i Kosovës, Dardan Gashi.

Më pas, në ora 20:30, do të fillojë koncerti, në të cilin do të marrin pjesë: Afrim Muçiqi, Ansambli i Valleve dhe Këngëve “Shota”, Leonora Jakupi, Rifat Dragaj, Kosovare Hasi, Vëllezërit Dragaj, Ansambli “Drenica” dhe Skender Hasi.