U hap panairi i prodhimeve tradicionale në Prishtinë (FOTO)

Dhjetëra produkte tradicionale u promovuan sot në hapjen e panairit e organizuar në kuadër të aktivitetit ‘Ditët të Diasporës’ në Prishtinë nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike.

Ministri i Diasporës, Dardan Gashi tha se Kosova ka marrëveshje që produktet të cilat po promovohen në panair të shiten edhe jashtë shtetit.

“Është kënaqësi e veçantë kur diaspora vjen t`i vizitoj familjet, dhe takohen me njerëzit është një lidhje e veçantë e diasporës me këto prodhime, ne kemi marrëveshje që këto produkte të shiten në vendet ku është diaspora. Po dihet që pjesëmarrja në panair është e madhe si nga Kosova ashtu edhe nga Diaspora, e kjo është shumë mirë për promovimin e këtyre produkteve”, u shpreh Gashi

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj ka falënderuar organizatorët dhe ka thënë se ndjehen shumë mirë kur i shohin produktet në vendet e Evropës.

“Falënderoj organizatorët, neve na ka rastis t`i shohim prodhimet tona ne vende të Evropës, dhe ndjehemi shumë mirë,  kjo ka ardhur në saje të biznesit që e bënë diaspora me prodhimet vendore, nuk ka familje në diasporë që nuk e ka një veshje kombëtare një shenjë kombëtare, shumë shpejt do të nxirret një plan sesi ti afrojmë njerëzit e diasporës për çështjen e udhëtimit, çështjen e biletave”, ka thënë Limaj.

Pjesëmarrëse në panair ishte edhe Sabina Lloçani nga Prishtina, e cila po merr pjesë me produkte të thurura.

Sabina u shpreh e kënaqur që e kanë pranuar në panair edhe pse është person me nevoja të veçanta.

“Ky është panairi i shtatë që unë dal, dhe jam e mirëpritur shumë edhe pse jam person me aftësi të kufizuara, unë jam me disa punime të grave, punëdore. Jam shumë e kënaqur që më kanë pranuar në panair e që po më përkrahin. Panairet duhet të jenë më të shpeshta edhe përkrahja ndaj personave me aftësi të kufizuara duhet të jetë më e madhe”, tha Lloçani.

Nadire Hasani, pjesëmarrëse në panair nga fshati Frashër në Mitrovicë me produkte të përpunuara të pemëve dhe perimeve tha se organizimi i panaireve i ndihmon shumë prodhuesit që të promovojnë punën e tyre.

“Me këtë lëmi merrem që 6 vite, merrem me përpunimin e pemëve dhe perimeve, reçel, ajvar, turshi, mjaltës gjithashtu shes edhe perime të freskëta. Ne marrim pjesë edhe në tregun mobil, aty shesim tri herë në javë, e cila është ndihmesë e madhe për neve, produktet e mia shkojnë edhe jashtë shtetit por vetëm prej familjarëve që jetojnë jashtë, të cilët ju dërgojnë edhe miqve të tyre atje e janë nda shumë të kënaqur nga produktet, e organizimi i panaireve na ndihmon shumë për promovimin e punës tonë” tha Hasani.