Mbrojtja e të Dhënave Standard i BE-së

Për të paraqitur sfidat dhe iniciativat për mbrojtjen e të dhënave personale, agjencia zgjodhi 28 janarin-ditën ndërkombëtare të mbrojtjes së tyre.

Në konferencë ishin të pranishëm ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, përfaqësues të BE-së, OSBE-së dhe avokati i popullit, Hilmi Jashari, ndërsa mungoi ministri i Integrimit Bekim Çollaku, edhe pse u tha se mbrojtja e të dhënave personale Kosovës i kërkohet edhe nga BE-ja.

Avokati i popullit Hilmi Jashari tha për KALLXO.com se të dhënat personale nuk duhet të mbrohen vetëm formalisht, por për shkeljen e tyre duhet të diskutohet.

Ai përmendi rastet kur në Kuvend janë paraqitur raporte për shkelje privatësie, ndërsa deputetët i kanë miratuar raportet e tilla shpejt e shpejt.

“Është bërë një diskutim dhe një votim si proces formal, mirëpo pa diskutime të cilat kishin mundësuar Kuvendin për të marrë qëndrime dhe për të nxjerrë rezoluta për të marrë vendime ndaj qeverisë e cila nuk i ka respektuar këto standarde, sepse ai në fund të fundit ka qenë edhe synimi i vet ekzistencës së mekanizmave, mirëpo në fund të fundit edhe vetë Kuvendit, sepse janë agjenci të cilat i raportojnë Kuvendit,”  tha Jashari.

Në konferencë ministri i Arsimit Arsim Bajrami përmendi pajisjen e të gjitha shkollave me kamera në kuadër të projektit për mësim elektronik (e-learning), në mënyrë që edhe prindërit të mund të përfshihen nga largësia në procesin mësimor të fëmijëve të tyre.

Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale pastaj i dha çmim për bashkëpunim ambasadorit të OSBE-së Jean Claude Schlumberger.

Schlumberger tha se institucionet e Kosovës duhet të përmbushin edhe kriterin për mbrojtjen e të dhënave personale si pjesë thelbësore të drejtësisë e sigurisë dhe procesit integrues në BE. pjesë thelbësore të drejtësisë dhe sigurisë.

Disa prej sfidave të mëtejme që Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale duhet t’i përmbushë mbeten mbikëqyrja e përpunimit të të dhënave të kontrolluara gjatë inspektimeve të bëra në terren, në zyrat e kompanive private dhe në institucionet e sektorit publik dhe bashkëpunimi me institucionet relevante në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale.